SYRI TV/ Asfalti elektoral në Kuçovë, 360 mln lekë për 1.5 km rrugë fshati

10:47, 22/03/2023
A+ Aa A-

Pasi po tenton të shkatërrojë burimin e Sinecit duke ia dhënë kompanisë Salillari, kryetari i Bashkisë së Kuçovës duket se po abuzon me paratë publike në prag të fushatës. Kreshnik Hajdari ka skualifikuar nga gara 12 kompani, që ofruan 120 milionë lekë më pak se kompania që u shpall fituese e një tenderi për ndërtimin e një rruge rurale. Bëhet fjalë për rrugën e fshatit Goraj, e cila është vetëm 1.5 kilometra dhe do t’u kushtojë taksapaguesve të Kuçovës plot 360 milionë lekë

SYRI TV

Teksa është në prokurori për tenderin që i ka dhënë kompanisë Salillari për marrjen e ujit të burimit të Sinecit, kryetari i Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari, duket se nuk ndalet në abuzimin me fondet publike.

Vetëm dy muaj larg zgjedhjeve të 14 majit, kryebashkiaku i Kuçovës ka kryer tenderin me objekt “Rikonstruksion i rrugës fshati Goraj” me gjatësi rreth 1.5 kilometra.

Fondi limit i tenderit ishte rreth 375 milionë lekë, por pas garës është shpallur fituese kompania “Koloseu” me vlerën e 345 milionë lekë pa TVSH ose rreth 360 milionë lekë me TVSH.

Tenderi duket se është abuziv dhe me fitues të paracaktuar. Në garën për këtë tender, kanë marrë pjesë 12 kompani, të cilat janë skualifikuar të gjitha nga gara. Të gjitha kompanitë, veç asaj fituese, kanë ofruar deri në 120 milionë lekë më pak, për të kryer të njëjtat punime që do të kryejë kompania “Koloseu” për të ndërtuar një rrugë 1.5 km në një fshat të Kuçovës.

Pra dukshëm, në këtë pikë, Bashkia e Kuçovës ka skualifikuar nga gara të gjitha kompanitë që kanë ofruar vlera shumë herë të më të ulëta, ku ndër justifikimet e skualifikimit nga gara ka të tilla si përfundimi i siguracionit të një automjeti apo se administratorit të kompanisë i ka mbaruar afati i emërimit në krye të shoqërisë.

Por përtej skualifikimit të 12 kompanive me vlerën më të ulët se fituesi, duket se ky tender i Bashkisë së Kuçovës tejkalon edhe vetë faktin se po kryhet për asfalt elektoral.

Nga dokumentet e siguruara nga Syri Televizion, projekti i rrugës lë vend për dyshime. Siç shihet, gjatësia e rrugës që do të rehabilitohet është vetëm 1.5 kilometra. Është e pashpjegueshme kostoja prej 360 milionë lekësh për rehabilitimin e një rruge rurale.

E dyta, është vetë trashësia e asfaltit. Pa marrë pozitat e një inxhinieri, por duke iu referuar projektit, parashikohet që në këtë rrugë të hidhet vetëm 7 centimetra asfalt, duke lënë jo pak vend për dyshime se kostoja e nxjerr nga bashkia nuk rakordon me parametrat teknik të kësaj rruge. Tashmë mbetet në dorë të organeve ligjzbatuese të hetojnë dhe hedhin dritë nëse ky tender ka apo jo shkelje.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco