Alo, DEA?

Alo, DEA?

Nga Cretan Archer - 25/04/2024

Një vit më pare, media në vend raportoi një njoftim nga Agjencia Amerikane e Luftës kundër Drogës (DEA) ku u kërkohej qytetarëve shqiptarë të informonin për rastet e krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe pastrimit të parave duke siguruar anonimitetin e denoncuesve dhe duke anashkaluar institucionet shqiptare të zbatimit të ligjit. Opinioni publik e lexoi ketë njoftim si një shenje pozitive të angazhimit të qeverisë së SHBA-ve në luftën kundër këtyre aktiviteteve të paligjshme.

Pas një viti nga vendosja në Shqipëri, duket se DEA’s i ka rënë jackpot.

Para pak javësh, nënkryetari i Partisë Demokratike dhe njëherazi kryetar i grupit të saj parlamentar, zoti Gazmend Bardhi bëri një denoncim publik me dokumente zyrtarë të prokurorisë shqiptare ku akuzonte drejtpërdrejt vëllanë e kryeministrit Rama, Olsi, për përfshirjen e tij direkt në rastin e laboratorit të drogës ‘XIBRAKA’. Sipas këtij denoncimi, një hetim i nisur nga policia gjermane kishte çuar në arrestimin e eksponentëve të një grupi të strukturuar kriminal, i cili ishte përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës. Operacioni policor për arrestimin e tyre u dekonspirua nga policia shqiptare. Deputeti Bardhi provoi me dokumente se grupi kriminal kishte lëvizur me makinën e vëllait të kryeministrit dhe se në fakt, dekonspirimi i operacionit nga ana e policisë kishte ndodhur për të shpëtuar vëllanë e kryeministrit. Në dosjen e prokurorisë rezulton një individ i paidentifikuar, i cili sipas denoncimit është pikërisht Olsi Rama. Ajo çfarë ekspertë të sigurisë besojnë të ketë ndodhur është pak a shumë si vijon: në kohën e zhvillimit të operacionit policor për arrestimin në flagrancë të eksponentëve të këtij grupi kriminal, Olsi Rama dhe një bashkëpunëtor tjetër ishin nisur nga Tirana për në Xibrakë të Elbasanit, aty ku ndodhej dhe laboratori i drogës. Në dalje të Tiranës, makina e tyre është ndaluar nga drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, të cilët i kanë paralajmëruar për operacionin. Makina me të vëllanë e kryeministrit është kthyer dhe pas pak orësh ka kaluar kufirin më Kosovën, i cili është në drejtimin e kundërt të Elbasanit. Alibi? Me gjasë, po.

“Kreu i organizatës që trafikonte drogë nga Shqipëria në Gjermani ishte mik i Olsi Ramës. Nuk jam këtu për të hedhur baltë siç i pëlqen ta quajë Edi Rama. Jam këtu të sjell fakte dhe rrethana që nuk u hetuan asnjëherë. Në dosje është hapur një procedim që të gjejë identitetin e tij, i cili konsiderohet në dosje si “Bashkëpunëtori i paidentifikuar”. Krahas personave të arrestuar, policia ka vendosur të procedojë “bashkëpunëtorin e paidentifikuar”, për të cilin thotë se kishte nevojë hetime të tjera. Policia ka identifikuar të gjithë personat përveç një personi. Policia di pamjen, di fiks moshën. por nuk di emrin. Ky person i paidentifikuar një ditë para operacionit ka qenë në një nga zonat bashkë me tre drejtuesit e grupit. Nga raportet e vëzhgimit, personi përshkruhet si 45 vjeç, me flokë të shkurtra me mjetin me targa AA653DM. Olsi Rama ka qenë pjesë e grupit. Shtetasi Olsi Rama sipas provave të sistemit TIMS është ekzaktësisht përdorues i automjetit me targa AA653DM, këto janë të dhënat e sistemit TIMS ku provohet kalimi i pikave të kalimit kufitar nga OlSi Rama. Nga të dhënat e sistemit TIMS vërtetohet se Genci Xhixha, Olsi Rama, Gentjan Gjonaj dhe Ermal Hoxha kanë përdorur disa herë automjetin me targa AA653DM gjatë periudhës prill-dhjetor 2014 kur u zbatua plani”, u shpreh atëherë deputeti Bardhi në konferencën për mediat.

Deputeti demokrat lëshoi edhe një deklaratë të fortë, e cila duhet të përbëjë interes të veçantë jo vetëm për DEA’n, por edhe për zyrën e OPDAT në Tiranë. Ai u shpreh edhe se: “Prokurorët e dosjes së Xibrakës që kishin për detyrë të hetonin këtë personin 45-vjeçar, njëri me votë të Edi Ramës është bërë Prokuror i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë dhe prokurori tjetër është mbështetur në një garë ku Rama hyri në luftë me Ambasadën e SHBA-së për ta bërë të drejtor të SPAK. E vërteta është që të gjithë përfaqësuesit që ndodheshin atje me votë të Edi Ramës, votuan për Edvin Kondilin”.

Pra, nëse pretendimi i zotit Bardhi është i saktë, atëherë rezulton se prokurorët të cilët kanë mbyllur çështjen e përfshirjes së vëllait të kryeministrit në një rast të trafikut ndërkombëtar të drogës, janë promovuar duke u shpërblyer pikërisht nga vetë kryeministri, njëri në pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe tjetri në atë të prokurorit të SPAK.

Pretendimet e deputetit Bardhi u konfirmuan së fundmi edhe nga një reportazh i televizionit publik italian RAI 3, i cili jo vetëm që tregon me dokumente nga sistemi TIMS për lëvizjet e vëllait të kryeministrit me anëtarët e bandës kriminale, por edhe nxjerr në pah një të thënë tjetër: Sekretari i Përgjithshëm i kryeministrisë Engjëll Agaçi, truri i reformës në drejtësi dhe eminenca gri e zotit Rama, ka shërbyer si avokat i disa grupeve kriminale shqiptare dhe italiane përpara se të emërohej në postin më ta lartë të shërbimit civil. Është e paqartë nëse dhe si zoti Agaçi i është nënshtruar procesit të vetting-ut për marrjen e certifikatave të sigurisë të nivelit ‘Tepër Sekret’ dhe ‘NATO Top Secret’. Politikanë të opozitës besojnë se interlokutori midis kryeministrit Rama dhe prokurorëve të SPAK është pikërisht krahu i tij i djathtë, zoti Agaçi. Përsëri është e paqartë se çfarë veprimesh ka ndërmarrë SPAK për dosjen e pezulluar mbi ‘të dyshuarin e paidentifikuar’, për të cilin zoti Bardhi pretendon së është i vëllai i kryeministrit, pas denoncimeve publike të fundit. A është Agaçi gjithashtu interlokutor i Ramës me grupet kriminale të trafikut të drogës? Këtë nuk mund ta themi me siguri, por DEA ndoshta do të mund t’i hedhe një sy.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco