Bruksel, Bislimi: Serbia po kërkon financimin e strukturave paralele

Bruksel, Bislimi: Serbia po kërkon financimin e strukturave paralele

07:00, 26/04/2024
A+ Aa A-

Gjatë ditës së sotme u zhvilluan takimet e radhës në kuadër të procesit të dialogut, në nivel të kryenegociatorëve e ku Republika e Kosovës përfaqësohej nga zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi.

Pas përfundimit të takimeve, zëvendëskryeministri Bislimi tha se ky takim për dallim nga takimet e tjera ka qenë shumë më i konkretizuar, ku palët kanë diskutuar nen për nen rreth ideve që ka prezantuar Lajçak dy javë më herët.

Bislimi tutje tha se Serbia kishte disa deklarata brengosëse, të cilat sipas tij kanë bërë që qëndrimet të largohen.

“Përshembull sot për herë të parë ne kemi parë haptazi të dokumentuar nga Serbia se si ata e shohin procesin e krijimit të asociacionit, përderisa për bashkësinë ndërkombëtare dhe Kosovën, asociacioni është nënkuptuar si një mekanizëm që ndihmon komunat me shumicë serbe të koordinojnë ushtrimin e disa veprimeve të tyre, Serbia sot tregoi se e sheh si mekanizëm për legjitimimin e prezencës së strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë. Poashtu vazhdoi loja e vjetër me tendenca që të sigurohen metoda përmes të cilave do të merrnin garancione për licensimin e institucioneve ilegale siç është “Postanska Banka” në Kosovë. Duke parë se qëndrimet nuk po mund të afrohen, pas disa orëve bisedime, Lajçak duke respektuar linjat e kuqe të palëve, ka dalë me një propozim të ri, e i cili pak a shumë do të duhej të ishte propozimi i fundit që del nga z. Lajçak dhe në të cilin ne duhet të japim komentet tona gjatë ditëve në vijim”, ka thënë Bislimi.

Sipas tij, propozimi i Lajçak është një përafrim apo një tendencë për përafrimin e qëndrimeve, por kërkon kohë nga të dy palët që t’i analizojnë elementet brenda tij, qoftë implikimet ligjore apo të ngjashme.

Tuje Bislimi tha se është diskutuar për financimin e shkollave dhe ambulancave në komunat në veri, por sipas tij pala serbe ka kërkuar të financohen strukturat paralele të Serbisë derisa të themelohet asociacioni.

“Një prej problemeve i cili është diskutuar në javët e kaluara është si të mundësohet financimi edhe më tej i shkollave dhe ambulancave të cilat operojnë në katër komunat në veri e në komunat tjera, por sot pala serbe ka kërkuar që të financohen çfarëdo strukture paralele e Serbisë, por pa dashur të tregojë se cilat janë këto struktura paralele të cilat ata duan t’i financojnë, dhe ideja e tyre që ka qenë që këto duhet të financohen derisa të themelohet asociacioni se pastaj ato kalojnë në kompetenca të asociacionit. Natyrisht që propozimi i tij nuk ka hasur as në mirëkuptimin e z. Lajçak e as tonin”, deklaroi Bislimi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco