Albin Kurti sot në Pragë dorëzon aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE

Albin Kurti sot në Pragë dorëzon aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE

08:00, 15/12/2022
A+ Aa A-

Prishtinë - Sot në Pragë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i dorëzon edhe zyrtarisht aplikimin e Kosovës për BE, Presidencës Çeke të BE-së.

Sipas agjendës, kryeministri i Republikës së Kosovës me delegacion, do të pritet në Zyrën e Qeverisë së Republikës Çeke, nga ministri për Çështjet Evropiane, ndërsa pas takimeve do të ketë konferencë e përbashkët për media, raporton RTKlive.

Dje krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti e kanë nënshkruar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Krerët e shtetit e kanë vlerësuar këtë si ditë historike dhe si një lëvizje drejt jetësimit të ëndrrës së kamotshme të popullit të Kosovës.

Fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurtit dje, në ceremoninë e nënshkrimit të aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian
 

E nderuara presidente e Republikës,
I nderuari kryetar i Kuvendit,
Të dashur qytetarë të Kosovës,
Të nderuar punonjës të mediave,

Bazuar në aspiratat, vullnetin dhe përkushtimin e pathyeshëm të popullit tonë për paqe, liri, barazi dhe drejtësi;

Orientimin tonë të qartë evropian e euro-atlantik;

Besimin në vlerat fundamentale të Bashkimit Evropian;

Konsensusin shoqëror e politik se e ardhmja e vendit tonë është brenda Bashkimit Evropian;

Sot, po bëjmë hapin e parë drejt anëtarësimit në organizatën më të madhe të paqes dhe prosperitetit në Evropë, Bashkimin Evropian.

Aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian të nënshkruar sot nga krerët e institucioneve të Republikës sonë, do t’ia dorëzojmë Presidencës Çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian, në Pragë.

Është ky një moment historik për vendin tonë që synon hapjen e një kapitulli të ri për shtetin dhe për shoqërinë tonë.

Progresi do të varet nga përkushtimi ynë për reforma të thella dhe transformuese të cilat e avancojnë demokracinë, e forcojnë sundimin e ligjit dhe e zhvillojnë ekonominë tonë.

Shpejtësia me të cilën do të ecim do të varet nga ne. Prandaj, angazhimi i të gjithëve është i nevojshëm e përkushtimi i secilit, i domosdoshëm.

Ne do të ecim përpara në meritën tonë. Pra, në aftësinë tonë për të përmbushur kriteret në secilin kapitull të ri.

Pengesat dhe sfidat drejt anëtarësimit i kalojmë me zhvillim demokratik dhe me progres shoqëror.

Së bashku, në këto dy vite kemi dëshmuar që kur shpresojmë dhe besojmë, çdo gjë është e mundur dhe nuk ka pengesë që nuk e kalojmë.

Ju faleminderit e urime të gjithëve.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco