Çmontohet koalicioni opozitar, aleatët: Basha kryetar i PD në largim

Çmontohet koalicioni opozitar, aleatët: Basha kryetar i PD në largim

19:54, 22/11/2021
A+ Aa A-

Partia Demokratike dhe Lulzim Basha para zgjedhjeve të 25 prillit formalizoi një bashkim, që e quajti si koalicioni opozitar.

Në muajin prill, kjo u trumbetua nga Basha si një nga bashkimet më të fuqishme që do rrëzonte regjimin e Edi Ramës, por në të vërtetë ishte një nga modelet e të bërit politik nga ana e Bashës.

Bëj zhurmë, shpall republika apo revolucione, dhe më pas kthe mendje rrugës, se ashtu ishte një muhabet.

Pra, e thënë ndryshe, Basha kërkonte me forma të ndryshme të kishte sa më shumë vëmendje dhe njerëz  nga pas.

Lulzim Basha firmosi besëlidhjen e opozitës me Fatmir Mediun, Vangjel Dulen, Dashamir Shehin, Nard Ndokën, Agron Dukën, Shpëtim Idrizin, e Monika Kryemadhin.

Por që pas asaj kohe, koalicioni opozitar nuk ekziston më dhe kjo për faktin se nuk është mbledhur asnjë herë qysh nga muaji prill.

CNA.al, kontaktoi me aleatët e Bashës, ku iu drejtoi këto pyetje: A është mbledhur një koalicion opozitar? Nëse po, a keni të njëjtën linjë dhe kush e drejton?

Kreu i PAA, Agron Duka u përgjigj duke thënë se një koalicion i tillë nuk është mbledhur asnjë herë. “Jo nuk jemi mbledhur asnjëherë“, tha Duka.

Të njëjtën gjë, pohoi edhe kreu i LZHK Dashamir Shehi. Shehi deklaroi se koalicioni opozitar nuk është mbledhur që pas humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit.

“Jo nuk jemi mbledhur me thënë të drejtën. Pas zgjedhjeve nuk jemi mbledhur asnjë herë. Basha nuk na ka thirrur asnjë herë. Nuk kemi asnjë platformë për të diskutuar. Këto janë duke u marrë me hallin e vet. Që kur u bënë zgjedhjet, secili ka pasur opinionin e vet që e bëjmë publike në media, por mbledhje zyrtare që të ulemi dhe të diskutojmë, pse ndodhi kjo dhe kush e ka fajin nuk jemi ulur asnjë herë”, tha Shehi.

Në unison me Shehin dhe Dukën ishte edhe Nard Ndoka. Ky i fundit tregoi arsyen pse nuk janë mbledhur, duke theksuar se opozita nuk ka një lider, duke e cilësuar Lulzim Bashën si kryetari në largim i PD.

“Nuk është mbledhur se nuk ka Lider Opozita. Basha është kryetar në largim i PD”, tha Ndoka.

Pra, qartazi është e kuptueshme që nismat e ndërmarra nga Lulzim Basha janë të gjitha një flluskë sapuni, nisin dhe ngelen në mes, si çdo gjë tjetër e tij./ CNA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco