Spiralja e rrezikshme e borxhit

Spiralja e rrezikshme e borxhit

07:21, 01/11/2020
A+ Aa A-

Ekonomia shqiptare ka hyrë tashmë në një territor të paeksploruar më parë. Borxhi, në krahasim me atë që prodhon ekonomia në një vit (Prodhimi i Brendshëm Bruto-PBB) pritet të arrijë në 83% në fund të këtij viti, sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). Jo vetëm që vendi hyn në listën e 10-11 shteteve me borxh më të lartë në Europë, por ky është dhe një rekord negativ, që vendi nuk e ka parë ndonjëherë.

Nga Monitor

Rritja e huamarrjes ishte e domosdoshme, në një kohë kur vendi u përball me dy fatkeqësi të njëpasnjëshme, i pari tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit dhe i dyti, kriza e Covid-19, që përfshiu gjithë globin. Rindërtimi pas tërmetit (që gjithsesi po ecën me hapa të ngadaltë) dhe paketat shpëtuese për biznesin gërryen shpenzimet e buxhetit, në një kohë që të ardhurat u tkurrën me ritme të shpejta, si rrjedhojë e karantinës disamujore dhe krizës që e shoqëroi atë. Sërish, pikëpyetjet janë të mëdha:

-Së pari, edhe në kohë të mira, qeveria nuk ia doli ta ulë borxhin. Ai mbeti në fund të 2019-s, në rreth 70% të PBB-së, nëse përfshihen dhe detyrimet e prapambetura, pothuajse njësoj në vitin 2013, kur dihet se për një vend me nivel të ulët konkurrueshmërie si Shqipëria, niveli i qëndrueshëm është në maksimumi 60%.

Borxhi i lartë nuk i mundësoi qeverisë të ketë një paketë të madhe mbështetëse, që sipas FMN-së në fakt ishte më e ulëta në Europë. Një mbështetje e ulët nuk arriti të ndalonte as humbjen e vendeve të punës në 6 muajt e parë të vitit, me 50 mijë të punësuar më pak.

-Së dyti, vitet e fundit, qeveria ka hyrë në një marrëdhënie të rrezikshme me të ashtuquajturat projektet e Partneritetit Publik-Privat (PPP), që në fakt janë borxh i fshehur, pasi financat llogarisin vetëm shumën që duhet paguar në vitin korrent. Detyrimet jashtë bilancit për PPP-të për periudhën e mbetur janë rreth 9.5% e PBB-së, që është më e larta në Europë. Shteti i dytë pas Shqipërisë është Sllovakia, me rreth 3% të PBB-së, ndërsa për shtetet e tjera ky ekspozim nuk i kalon 0-1% të PBB-së.

Ndërsa arriti të shpëtonte një pjesë të pagesave në 2020-n, angazhimit në kontrata nuk mund t’i shmangej dhe në vitin 2021, fondet buxhetore për koncesionet e shumëdiskutuara për raportin kosto-përfitime do të dyfishohen. Financat e kanë pranuar zyrtarisht tashmë që riskun financiar të kontratave, në pothuajse të gjitha rastet, po e mban shteti.

-Së treti, dhe më e rëndësishmja, projektbuxheti i vitit 2021 është pak të quhet një gënjeshtër e madhe. Parashikimi i të ardhurave është tepër optimist, në 28.4% e PBB-së (ndonëse PBB është e një baze më të ulët), kur ai nuk ka qenë në nivele të tilla as në ditët më të mira të ekonomisë.

Prej disa vitesh tashmë po ndiqet kjo strategji me “hile”, ku të ardhurat mbahen të larta, në mënyrë që në kahun tjetër të planifikohen më shumë shpenzime, që hapen një pjesë në vitin korrent, për të kaluar si detyrime në tjetrin (ligji lejon futjen në buxhet të investimeve, me kushtin që ata të kenë të paktën 20% të financimeve në vitin e parë). Por, me të ardhurat që gjithnjë realizohen më pak se plani, rreziku i rritjes së detyrimeve të prapambetura sa vjen e shtohet. Si në një vit elektoral, qeveria (duke planifikuar të ardhura të fryra) nuk është kursyer në shpenzime.

Të gjitha projektet e mëdha infrastrukturore që nuk u bënë në kaq vjet, do të fillojnë të realizohen si me magji brenda muajve të parë të vitit elektoral, duke sforcuar në maksimum buxhetin. Si rrjedhojë, borxhi zyrtarisht nuk pritet të bjerë më shumë se 78% e PBB-së vitin e ardhshëm, por siç ka treguar përvoja, edhe për këtë tregues, planifikimi ka qenë gjithnjë më optimist sesa ka treguar realiteti.

Flirtimi fatal me PPP-të, që po rrit borxhin e fshehur, planifikimi i shpenzimeve përtej kapaciteteve, pasiguritë e shtuara ekonomike për të ardhmen nga Covid-19 dhe shthurja e financave në prag të zgjedhjeve pritet që të çojnë borxhin në një spirale të rrezikshme vitin e ardhshëm.

Në vend të një qeverisjeje të përgjegjshme, banorët e vendit (sidomos ata që po përgatiten të kalojnë dimrin e dytë në çadra) do të bëhen dëshmitarë të shpërdorimit të parave të taksapaguesve, për hir të votës elektorale, ashtu siç në fakt ka ndodhur rëndom në 30 vitet e tranzicionit. Presioni qytetar i taksapaguesve për llogaridhënien se si shpenzohen paratë e tyre (që së fundmi po ndodh me koncesionet) është forma kryesore për të nxitur një qeverisje të përgjegjshme, që fatkeqësisht dhe historikisht gjithnjë na ka munguar … dhe vazhdon të na mungojë./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco