Shkullaku, Zheji, Surroi, Gjekmarkaj/ ‘Përgjime të tilla do rrëzonin çdo qeveri’

Shkullaku, Zheji, Surroi, Gjekmarkaj/ ‘Përgjime të tilla do rrëzonin çdo qeveri’

23:15, 19/06/2019
A+ Aa A-

Disa prej analistëve më të njohur kanë reaguar pasi Shqipëria ka njohur momente të reja tensioni, që e kanë çuar krizën politike në nivele alarmuese.

Fillimisht një shkrim i publicistit kosovar, Veton Surroi, u bë viral në rrjetet sociale shqiptare.

Veton Surroi

“Shqipëria ka gjasa që në verën e vitit 2019 të jetë vendi i vetëm evropian që nuk është në gjendje të organizojë zgjedhje të lira me legjitimitet demokratik. Shqipëria ka gjasa që në verën e vitit 2019 të jetë vendi i vetëm evropian ku zgjedhjet prodhojnë viktima njerëzore,” shkruan Surroi.

Sipas tij, Edi Rama bëri tre gabime brenda gjashtë muajsh. Fillimisht duke përkrahur idenë e Aleksandër Vuçiç për ndarje territoresh, një ide që sipas Surroit, e ka sponsorin në Moskë. Më pas duke shpërfillur opozitën. Në fund me sulmet e tij ndaj medias dhe kërcënimet me padi ndaj gazetës gjermane Bild. Surroi thotë se Rama e ka të humbur këtë betejë.

 “Rënia e lirë e Shqipërisë do të kërkojë masa politike. Masa urgjente është që të mblidhet menaxhmenti i kësaj ndërmarrjeje. Të pajtohet që zgjedhjet do të mbahen kur të merren vesh. Të pajtohen që zgjedhjet duhet të kenë besueshmërinë e ndërsjellë. Dhe se kjo është vetëm njëra prej pikave të një marrëveshjeje që duhet t’i rilegjitimojë demokracinë dhe shtetin,” shkruan Surroi te Koha Ditore.

Armand Shkullaku

Kurse analisti Armand Shkullaku, në një opinion tek Lapsi.al, thekson se duhet të shkrihet organizata e Rilindjes.

“Rilindja prej kohësh e ka asgjesuar Partinë Socialiste. Nuk ka më zgjedhje, nuk ka zëra kundër, nuk ka debat, nuk ka alternativa në përzgjedhjen e kandidatëve dhe përfaqësimi më i lartë politik, siç është qeveria, është katandisur tek disa anonimë, vullnet dhe tekë e kreut të organizatës. Kësisoj organizatës nuk i intereson as cilësia e qeverisjes dhe as përgjegjësia politike para votuesve, por kontrolli i tyre me çdo mjet dhe metodë si e vetmja mundësi për të mbajtur pushtetin,” shkruan ai.

Duke u ndalur tek përgjimet e publikuara nga gazeta Bild, Shkullaku thekson: “Nuk është rastësi që në këto përgjime, por edhe në shumë afera e skandale të tjera, nuk dalin të përfshirë emra socialistësh të vjetër. Nuk del Pandeli Majko, Vasilika Hysi, Bashkim Fino, Erjon Braçe, etj. Ata janë tek rregullat politikë të luftës me kundërshtarin. Në organizatë veprojnë ata që kapitalin politik e kanë të lidhur me shërbimin ndaj kreut dhe jo ndaj qytetarëve”.

Në fund, Shkullaku ka një thirrje: “Rilindja duhet t’i hapë rrugë Partisë Socialiste për të rikthyer normalitetin në vend. Mjafton edhe pohimi i atyre, që i bëjnë fresk qeverisë, se fenomene të tilla kanë ndodhur edhe më parë, për të ndëshkuar ata që po i përsërisin ato. Organizata dështoi në premtimin e saj të madh për të bërë shtet dhe një Shqipëri më të mirë, tani Shqipëria duhet të çlirohet prej saj. Niçet apo keshët nuk janë as Partia Socialiste dhe as vullneti i qytetarëve. Dhe as Dibra nuk është modeli për të mbajtur përjetësisht pushtetin. Sa më parë të kuptohet kjo, aq më shumë do të largohet konflikti për t’i lënë vend politikës”.

Artur Zheji

Analisti Artur Zheji nga ana e tij, në komentin e publikuar tek portali 360grade.al, thekson se “ish-piktori duhet lënë të mbarojë pikturën e tij të ferrit”.

“I do zgjedhjet lokale më 30 Qershor. Vetëm dhe rrethuar bollshëm, me zarat, zarushat, larushat dhe larot e tij pas, ca peshq të vegjël dhe mishngrënës, të paguaj dhe ndihmësit e tij, në shqyerjen e tokave, nëntokës, pyjeve, detit e buzëdetit, që thirret akoma Shqipëri.

Nuk janë pra Zgjedhje, por një Fushatë pushtimi, qytetesh, trojesh, pyjesh dhe tokash të shtrenjta bregdetare…

Por në të vërtetë, edhe Rama nuk ka faj, ju kundërshtarët e tij të sotëm politikë, e sollët deri këtu, si partner të besueshëm dhe si punëmbaruar… Që ju shkruante dikur fjalimet dhe ju “frymëzonte”, tani mbajeni deri në fund dhe mos e thërrisni as kopuk dhe as të çmendur,” shkruan Zheji.

Meraku i analistit Zheji janë ata, me të cilët Rama ka bërë marrëveshje.

“Ua mësoi veset tuaja, trillet tuaja, oreksin tuaj dhe krejt zakonet tuaja dhe mënyrën tuaj të të menduarit dhe të vepruarit me pushtetin dhe njerëzit…

Ua njeh të gjithë këshilltarët apo ish-këshilltarët tuaj dhe i paguan për t’ju çkëshilluar, kush prej tyre ka ndonjë vlerë. Por më të shumtën i le patrazuar, sepse keni zgjedhur për tu këshilluar nga “shahistë” që mendojnë vetëm tre lëvizjet e para dhe ju mburren e shesin mend pafund, me dokrrat e tyre, që i shesin shtrenjtë…

Por ish Piktori, Ay pra, Piktori që mbetet kryeministër, nga dita në ditë po e lehtëson punën e kundërshtarëve të tij, duke e çuar trenin e tij në Përplasje, nga e cila përplasje nuk ka dhe nuk mund të ketë fitimtarë të vërtetë…

Piktura murale e Ferrit të Biblës dhe të Dantes, po plotësohet ditë pas dite në Shqipëri dhe ish Piktori, apo Piktori kryeministër, po hedh penelat e fundit, ku pasionin për “gjuhët” e zjarrit po e përsos mjeshtërisht…

Po zjarri dihet, mund të djegë edhe zjarrvënësin e madh … Ndoshta!”

Agron Gjekmarkaj

Ndërkohë analisti Agron Gjekmarkaj shkruan në gazetën Panorama se tashmë në vend ka vetëm një institucion.

“Sot në Shqipëri ka vetëm një institucion. Ai quhet Edi Rama. Hiqmi i tij është balsam, është horizont, është ardhmëri. Analiza mbi përgjimet e së hënës nga pikëpamja tekstuale të çon në të tilla përfundime. Personazhi, i cili telefonohet nga Kryeministri apo nga ministrat e deputetët e PS-së, di vetë si ta përkthejë besimin që i jepet. Kërcënime, shitblerje vote, pshurrje mbi dinjitetin e qytetarëve, rreshtim të administratës civile e plot të tjera ndodhi,” shkruan Gjekmarkaj.

Sipas analistit, Shqipëria rrezikon të ndahet në dysh.

“Publikime të tilla do të rrëzonin çdo qeveri europiane, menjëherë. Po këtu, mes nesh, sipas traditës, Kryeministri hedh valle në gojë të ujkut. Po ecet drejt datës 30 qershor me guxim të marrësh, ndërkohë që shenjat e para të mospranimit të kësaj date u duken dje në Tropojë, Shkodër, Lezhë etj. Shqipëria po rrezikon të ndahet më dysh e të thyhet në mes. Edi Rama duhet ta dijë se çdo udhëtim e ka një fund, edhe pushteti, edhe sundimi, edhe fitimi, çdo eksplorim në një çast përmbyllet”.

“Ndalu Kryeministër, çdo udhëtim e ka një fund e kjo nuk është patetike, thjesht eksperiencë shekujsh,” bën thirrje analisti.

 

 

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Roberto20/06/2019 01:46

O Askusho ! Banda jeni ju qe keni shkaterruar,plackitur,rrembyer,vrare e djegur dhe keta te katert aty ne foto jane nje pjese e llumit mediatik qe i ben fresk opozites e cila mendoi se do i ecte por i mbeti sharra ne gozhde.

Askushi19/06/2019 23:50

Keta nuk jane qeverri, keta jane nje bande gangesteresh.

Shto koment

Denonco