Gjykata liron 7 protestues/ Noka paralajmëron oficerët që u binden urdhërave të Ramës: Do përgjigjeni...

Gjykata liron 7 protestues/ Noka paralajmëron oficerët që u binden urdhërave të Ramës: Do përgjigjeni...

17:23, 16/05/2019
A+ Aa A-

Gjykata e Tiranës liroi sot 7 protestues që morën pjesë në protestën e 13 majit. Në lidhje me këtë vendim reagoi ish-deputeti dhe ish-ministri i Brendshëm Flamur Noka.

Sipas Nokës, burgosja e protestuesve ishte politike, u urdhërua nga Edi Rama, kurse premtoi se kur opozita të vijë në pushtet, ata që kanë burgosur protestuesit me prova të fabrikuara do të mbajnë përgjegjësi.

“Qeveria vazhdon sagën e përndjekjes politike ndaj protestuesve që kërkojnë një Shqipëri më të mirë dhe më europiane. Qytetarët vetëm protestojnë për të rrëzuar Edi Ramën dhe bandën e tij. Vazhdon përndjekja dhe çuarja përpara drejtësisë të protestuesve edhe pa prova e duke fabrikuar prova. Kjo ndodh sepse Edi Rama ka dhënë urdhëra politikë për të burgosur dhe syrgjynosur qytetarët që ngrihen kundër pushtetit kriminal të Ramës.

Ju bëj thirrje të gjithë oficerëve të policisë që marrin urdhëra politikë nga Rama dhe sajojnë prova, ta ndalin këtë fenomen dhe proces. Sepse së shpejti, një ditë drejtësia do të veprojë, opozita mban shënim çdo gjë.  Dita e gjykimit për oficerët e policisë që fabrikojnë prova do të vijë, për ata që nuk i shërbejnë shtetit dhe ligjit, por krimit dhe pushtetit. Ata do të japin llogari, sepse të fabrikosh prova është krim”, tha Noka gjatë fjalës së tij.

Ish-deputeti demokrat shtoi se, protesta e rradhës e opozitës së bashkuar, që do të zhvillohet më 25 maj, do të jetë më e madhja e mbajtur ndonjëherë, ndërsa paralajmëroi edhe largimin e kryeministrit Edi Rama.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco