Lajmi i fundit

Reagimi qytetar/ Sot protesta e opozitës para bashkisë

Eleminimi i Drejtorisë Arsimore/ Reagon Ademi: Goditje e Ramës për arsimin dhe Shkodrën

Eleminimi i Drejtorisë Arsimore/ Reagon Ademi: Goditje e Ramës për arsimin dhe Shkodrën

21:54, 24/04/2019
A+ Aa A-

Pas vendimit absurd të Ministrisë së Arsimit për ti hequr Shkodrës, një qyteti universitar, Drejtorinë Rajonale Arsimore dhe vendosjen e saj në varësi të Lezhës  ku do të ketë qendrën një nga katër Drejtoritë Rajonale të Arsimit Parauniversitar, ka ardhur reagimi i rradhës nga kryetarja e bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi.

Përmes një postimi të gjatë në Facebook, Ademi jep arsyet pse qytetit më të madh në veri të vendit nuk i duhej bërë një akt i tillë.

Sipas saj, "kjo strategji e paprecendentë në historinë e Shkodrës e Shqipërisë, godet arsimin në një nga zonat më arsimdashëse të vendit".

Postimi i plotë i kryebashkiakes së Shkodrës, Voltana Ademi:

Pavarësisht thirrjeve tona, nga Bashkia e Shkodrës dhe Këshilli Bashkiak, deri tani nuk ka asnjë reagim për vendimin absurd për eliminimin e Drejtorisë Arsimore Rajonale (DAR) Shkodër.

Kjo strategji e paprecedent në historinë e Shkodrës e Shqipërisë, godet arsimin në një nga zonat më arsimdashëse të vendit.

Mjafton t’i referohesh shifrave dhe të analizosh impaktin negativ që ky vendim mund të sjellë.

Aktualisht në Qarkun e Shkodrës funksionojnë 206 institucione publike arsimore dhe 15 private.

1. Në administrimin e DAR Shkodër aktualisht, janë 117 shkolla,

2. Në administrimin e ZA Malësi e Madhe, janë 39 shkolla;

3. Në administrimin e ZA Pukë, janë 50 shkolla;

Qarku i Shkodrës ka në specifikën dhe traditën e vet mësimdhënëse nivele të ndryshme të arsimimit duke u dalluar në rajonin e Veriut për veçantitë e këtij territori, dukë përfshirë arsimin fillor, 9- vjeçar, gjimnaze, gjimnaze të orientuara dhe tekniko - profesionale.

E gjithë kjo shtrirje e gjërë, shumëllojshmëri dhe përvojë nuk është rastësi, por është bazuar mbi një shtrat historik të arsimdashjes, edhe në kushtet më të rënda.

Studiuesi i njohur dhe profesori Njazi Kazazi, me studimet e tij sjell në vëmendje se arsimi shqip në Shkodër daton në shekujt XV- XVI.

Më 1698 në qytetin e Shkodrës, siç rezulton në bazë të dhënave të deritanishme, hapi shkollë filllore Filip Shkodrani. Po kështu më 1745 hapi një shkollë shqipe, në lagjen Tophanë, Jakë Kolë Kamsi. Në vitin 1830 hapi shkollë me 50 nxenës, në lagjen Serreq, Gegë Kodheli. E kështu vijojnë me radhë shkollat e Gaspër Benussit, Jakë Tushit, Gjon Shkrumit dhe e italjanit Signor (Shor) Markja.

Në Shkodër u arrit që në vitin 1862 të hapet një qendër arsimore për vajza nga Kushe Micja dhe Tereza Bërdica dhe më pas edhe shkolla për vajza e Tina Nikës.

Nuk është rastësi që, pikërisht në Shkodër, me 2 shtator 1957 u krijua Instituti i Lartë Pedagogjik, fillimisht 2- vjeçar, më pas tre e në fund 4- vjeçar. Janë me mijëra mësuesit që dolën nga bankat e këtij institucioni të dijes, për të vazhduar mësimdhënien në të katër anët e vendit.

Në fillim të viteve ’90, me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 167, datë 28.05.1991 Instituti i Lartë Pedagogjik mori statusin e universitetit me emrin e Luigj Gurakuqit. Aktualisht, Universiteti i Shkodrës ka një strukturë të plotë me 6 fakultete dhe 21 departamente.

Nuk është rastësi i gjithë ky rrugëtim i strukturuar i arsimit nga thellësitë e shekujve deri në ditën tona. Eliminimi I DAR në Shkodër, shumë shpejt çon drejt zhbjerrjes së këtij sistëmi, e larg mendsh që mund të flitet për zhvillim.....

Kjo do të ishte një përmbysje për të djeshmen, të sotmen dhe të nesërmen e Shkodrës.

Për të gjitha këto arsye dhe shumë të tjera, që mësues, qytetarë, intelektualë, profesorë, historianë, arsimdashës, prindër, nxënës, administratorë diskutojnë çdo ditë në një qytet që zien nga ky debat, unë ju ftoj të bëheni pjesë e reagimit qytetar, në mbrojtje të vlerave tona, ashtu siç na i kanë trashëguar të parët, të paprekura e të pasuruara. E ne e kemi detyrë t’ia përcjellin fëmijëve e nipave tanë.

Qeveritë janë të përkohshme, Shkodra dhe shkodranët janë të përjetshëm! Prandaj duhet reaguar tani sepse edhe sot është vonë!

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco