Abuzuan me detyrën, ekzekutohen masat e sigurisë për tre doganierë dhe tre biznesmenë

Abuzuan me detyrën, ekzekutohen masat e sigurisë për tre doganierë dhe tre biznesmenë

14:59, 31/01/2024
A+ Aa A-

Janë ekzekutuar masa e sigurisë për tre doganierë dhe tre biznesmenë.

Policia njofton se bëhet fjalë për tre punonjës të doganës së Fierit dhe tre biznesmenë, dy banues në Tiranë dhe një në Berat.

Njoftimi:

Në kuadër të punës për goditjen e veprimtarisë së paligjshme në fushën e krimeve ekonomike dhe në kuadër të procedimit penal të regjistruar pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Fshehja e të ardhurave”, nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore është finalizuar me sukses operacioni policor i koduar “Procesi”.

Si rezultat i operacionit u bë ekzekutimi i masave “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, për 3 shtetas, të cilët në periudhën 2014-2016, dyshohet se kanë abuzuar me detyrën doganier në Degën Doganore Fier, konkretisht:

-R. Sh., 47 vjeç, banues në Tiranë (i punësuar në Degën Doganore Fier);

-I. Y., 51 vjeç, banues në Fier, ish-punonjës i Degës Doganore Fier;

-E. Gj., 37 vjeç, banues në Fier, ish-punonjës i Degës Doganore Fier.

Gjithashtu, u bë ekzekutimi i masave të sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, për 3 shtetas (biznesmenë):

-M. K., 70 vjeç, banues në Berat;

-A. B., 56 vjeç, banues në Tiranë;

-S. P., 60 vjeç, banues në Tiranë.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasit M. K., S. P dhe A. B., në periudha të ndryshme, gjatë viteve 2014-2016, për llogari të shoqërive tregtare në administrim të tyre, kanë kryer pranë Degës Doganore Fier, praktika zhdoganimi të mallrave me origjinë nga Kina.

Procedurat e zhdoganimit janë kryer në të gjitha rastet, pranë Degës Doganore Fier, nga ana e doganierëve, shtetasve R. Sh., I. Y. dhe E. Gj.
Në kryerjen e procedurave të zhdoganimit në Degën Doganore Fier, nga ana e administratorëve të subjekteve janë paraqitur fatura të falsifikuara.

Në përfundim të hetimeve është dokumentuar veprimtaria e kundërligjshme e të gjashtë këtyre shtetasve, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer procedurën e zhdoganimit, pa kryer verifikimin e mallit dhe kanë shmangur detyrimet doganore në vlerën e 10 016 364 lekë të rinj.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtjeshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco