Opozita përballë provës

Opozita përballë provës

Nga Erion Dasho - 13/06/2024

Dorëzimi i drejtësisë së Boratit, pas dëmit katastrofik që i shkaktoi opozitës me mbajtjen peng të vulës, nuk duhet parë si qëllim, por vetëm si mjet. Duke fituar legjimitetin politik, Partia Demokratike vetëm sa ka hequr pengesën e parë, që ishte njëkohësisht edhe pengesa më absurde, në përballjen e saj me partinë-shtet me emrin rilindje.

Midis pengesave të mbetura, njëra më e vështirë se tjetra, mund të përmenden:

》aleanca e rilindjes me oligarkinë kriminale.
》aleanca me krimin e organizuar.
》aleanca me narkotrafikun kombëtar dhe ndërkombëtar.
》rrjeti jashtë ligjor i patronazhistëve dhe aktivistëve.
》kapja nga Borati dhe rilindja e gjithë pushtetit ekzekutiv në çdo segment të tij.
》kapja e çdo pushteti tjetër, përfshi atë juridik dhe mediatik, madje edhe median sociale.

Për më tepër, rilindja ka ndërmarrë në tre vitet e fundit një fushatë denigruese kundër Sali Berishës, si i vetmi faktor i mbetur politik me potencial për ta sfiduar dhe mundur atë.

Kjo përbën edhe pengesën e fundit në rrugën e opozitës drejt një përballje të barabartë në 2025-ën.

Po ç'duhet të bëjë opozita sot?

Në radhë të parë, duhet të vazhdojë të denoncojë me fakte të rinj, por duke risjellë në vëmendje edhe faktet e njohur, aleancat e tmerrshme të rilindjes me krimin, ologarkinë dhe narkotrafikun. Një faqe online mund të renditë të gjithë faktet shkatërruese që janë grumbulluar në këta 11 vjet pushtet të Boratit dhe rilindjes.

Së dyti, të përsëriten në çdo media elektronike dhe sociale faktet për kusaritë më flagrante të rilindjes, si djegësit, koncesionet e shëndetësisë, çmimet e tejfryra të punëve publike, vjedhja e pareve të COVID-it, vjedhja e fondeve të rindërtimit, madje edhe grabitja e paturpshme e 130 milionë eurove të projekteve të BE-së.

Së treti, të denoncohet rrjeti i patronazhistëve dhe aktivistëve para çdo ambasade, qeverie perëndimore dhe institucioni ndërkombëtar. Një rrjet spiunazhi parapolitik, i furnizuar me të dhëna nga e-Albania, që survejon dhe shantazhon votuesit, mjafton për të skandalizuar çdo faktor demokratik në botën perëndimore.

Së katërti, të vendoset qeveria teknike si kusht i panegociueshëm për zgjedhjet e ardhshme. Në rast se qeveria e rrëzon këtë kërkesë, të shfrytëzohet çdo mjet demokratik për të pamundësuar mbajtjen e zgjedhjeve.

Por, mbi të gjitha, opozita ka nevojë për të krijuar frymën fituese që, sipas mendimit tim, kalon nëpër disa pika:

》ftesa për unifikim të çdo faktori që është deklaruar kundër rilindjes. Nëse partitë apo lëvizjet e reja politike nuk i përgjigjen thirrjes së PD-së për të qënë pjesë e frontit anti-rilindje, ato praktikisht kanë dënuar veten dhe zgjedhjet e 2025-ës me siguri do t'i nxjerrin jashtë loje.

》harmonizimi i synimeve politike të opozitës së bashkuar, ku duhet të spikatin dy parime të patjetërsueshme: nevoja për t'ju kundërvënë shpopullimit dhe zhbërjes së kombit, si dhe zotimi për të vënë para drejtësisë Boratin dhe boratët. Për mendimin tim, pushtetarët e 11 viteve të fundit duhet të dalin përballë një gjyqi si ai i Nyrembergut, pasi krimet e këtyre viteve kanë qënë krime kundër kombit dhe duhen ndëshkuar si të tilla.

》hartimi i programit të shpresës, me mesazhe të qarta, me objektiva afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë, si dhe me plane zbatuese realiste. Ky program duhet t'i flasë çdo shtrese të shoqërisë dhe t'i bindë ata se opozita nuk po vjen me lugë në brez drejt pushtetit, por me zotimin për të marrë përsipër përgjegjësi historike.

Vetëm në këtë mënyrë, opozita do të jetë në gjendje t'u flasë shqiptarëve në Shqipëri dhe në emigracion, të krijojë ndër ta shpresën dhe besimin dhe, së fundi, të arrijë të mobilizojë energjinë e shoqërisë për ndryshim.

Të gjitha këto janë të mundshme, por koha në dispozicion për t'i realizuar ato është shumë e shkurtër. Çdo vonesë dhe mëdyshje do të ishte fatale. Puna duhet të nisë që sot për të garantuar fitoren në 2025-ën. Shqiptarët i kanë sytë tek Partia Demokratike dhe opozita e vërtetë dhe Partia Demokratike nuk duhet t'i zhgënjejë ata!
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco