Çeku: Ende s’kemi informacione zyrtare për rolin e klerikëve fetarë në Banjskë

Çeku: Ende s’kemi informacione zyrtare për rolin e klerikëve fetarë në Banjskë

15:04, 27/09/2023
A+ Aa A-

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka thënë se ende nuk kanë informacione zyrtare për rolin e klerikëve fetar të Manastirit të Banjskës gjatë sulmit terrorist të 24 shatorit në veri.

Ai tha se hetimi po zhvillohet ende nga institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë, mirëpo në bazë të komunikatave të Dioqezës Rashkë-Prizren ata kanë pasur një përpjekje për distancim nga terroristët.

Çeku në konferencë për medie pas mbledhjes së qeverisë, tha se terroristët kanë shkaktuar dëme fizike brenda manastirit, andaj e kanë të ndarë kodin buxhetor për rregullim e tij.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku tha se sulmi terrorist i sponsorizuar nga shteti i Serbisë, përveç që i mori jetën një polici kishte edhe një dimension të rrezikshëm dhe të dëmshëm të përdorimit të një aseti të trashëgimisë kulturore. Sipas tij, qëllimi i grupit terrorist ishte dëmtimi i marrëdhënieve ndërfetare dhe ndëretnike në Kosovë.

“Manastiri ortodoks në fshatin Banjskë të Zveçanit, monument i trashëgimisë kulturore i mbrojtur me ligjet e Kosovës, u përdor si strehë nga grupi terrorist, përfshirë armatimin e tyre. Për dijeninë e të gjithëve, Manastiri i Banjskës u ndërtua në pjesën e parë të shekullit 14 mbi rrënojat e një kishe të vjetër të hershme, paleokristiane. Ndërsa supozohet që në atë lokacion gjendej edhe një vendbanim antik romak, pasi që aty janë gjetur mbishkrime epigrafike, të periudhës romake. Nga ajo çfarë kemi parë, terroristët kanë shkaktuar dëme jo të vogla në strukturën fizike të këtij manastiri. Besoj thellë që qëllimi i pjesëtarëve të këtij grupi, por edhe i urdhërdhënësve të tyre, ka qenë që përveç dëmit fizik në manastir, të dëmtohen edhe marrëdhëniet ndërfetare dhe ndëretnike në Kosovë”, deklaroi ai.

Tutje, Çeku u shpreh se qeveria deri më tani ka dhënë dëshmi të panumërta për të mbrojtur trashëgiminë kulturore, e në veçanti kishat dhe manastiret ortodokse.

“Ne jemi duke pritur krijimin e kushteve të nevojshme që ekipet tona profesionale nga autoritetet e trashëgimisë kulturore të vizitojnë monumentin për të bërë vlerësimin e dëmeve. Menjëherë pas kësaj do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme në bashkëpunim me të gjitha palët relevante për ndërhyrje profesionale, me qëllim të sanimit të dëmeve të strukturën fizike të këtij manastiri”, shtoi ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco