SYRI TV/ Zbardhet dosja e serave të kanabisit, në biseda flisnin me nofka dhe epitete

14:25, 28/04/2024
A+ Aa A-

Dosja hetimore për 4 serat e Beratit, tregoi jo vetëm rolet dhe si ndaheshin punët, por edhe mënyrën se si komunikonin anëtarët e grupit kriminal. Duke përdorur nofka dhe epitete, ata bisedonin lirshëm me njëri-tjetrin mbi aktivitetin e kultivimit të drogës. Aparatet celulare janë prova më e fort në duart e SPAK, ku u zbuluan biseda, pamje filmike, telefonata e udhëzime.

Nga SYRI TV

Sadetin Hasaj që konsiderohet nga SPAK si organizator dhe financues i serave të drogës në Berat, nuk shfaqej vetë në plantacione, por kishte ushtarët e tij. Ata kishin komunikime të ngjeshura, ku njëri prej tyre i drejtohej Hasës si “Rrushi” e tjetri “Flaka OTR”. Nga komunikimet e shtetasit Jurgen Ujkaj me Sadetin Hasaj, i pari e informon mbi ecurinë e aktivitetit tek 4 serat e kanabisit, dhe Hasaj e udhëzon Ujkajn ne lidhje me punët që duheshin kryer. Madje sipas SPAK, ai i komunikon se do të çojë njerëz të tjerë për të punuar dhe hekura, që nënkuptohen armët e zjarrit, me qëllim sigurimin e vendit dhe lëndës narkotike pasi "mund ta marrin të tjerë". Gjithashtu ata komunikojnë për sasitë e lëndës narkotike të grumbulluar dhe për proceset e punës në lidhje me to, mbledhja, tharja etj.

SADEDIN HASAJ: “Terezi e kena vu .... 2 rrugë, 300 arka.... i musha unë... kur i qëndrojmë ne tek koka punës, shkon çdo gjë në rregull".

Interesant është fakti se SPAK ka zbërthyer disa nga të dhënat hetimore përmes aparateve celulare, ku janë gjetur kontakte pafund. Mes tyre dhe një video që fundos disa nga kultivuesit. Blerim Xhekës i mbërrin një video nga kontakti i regjistruar me emrin “Adi i Pyllit”. Aty shfaqet shtetasi Sidrit Bisha duke qethur Bashkim Memën të dy nën hetim, teksa në sfond duken parcelat e kanabisit, thotë SPAK.

Numri I lartë I personave të përfshirë, llogaritur këtu edhe 95 gra, kishte shtuar zërat dhe dyshimet se aktiviteti po zbulohej. Ky shqetësim vihet re në një komunikim mes Arben Vrapit dhe Hamdi Dylit për një person që identifikohet si Lefteri dhe që dyshohet të jetë banorë i zonës që kishte informacione për serat.

HAMDI DYLI: "O vëlla po më thoshte Lefteri ca muhabete dhe i thash çne unë me këto gjëra... për të ditur e di po nga e mori vesh.”

ARBEN VRAPI: “E di për mua... Po s’ka problem mos e vrit mendjen… Ai me ne është. Kur do vjelësh?”

HAMDI DYLI: “Për 10 ditë. Vëlla thuaj atyre nga Hoxhenjt mos të flasin shumë se i kanë Q... Nënën me të folur".

Gjykata e Posaçme la në burg të shtunën 6 personat e arrestuar nga SPAK pas kalimit të kompetencës tek kjo prokurori për hetimin e dosjes.  Zbulimi i serave në Berat shkriu thuajse gjithë komisariatin në vitin 2022, pasi drejtues e përgjegjës sektorësh, nuk ndaluan aktivitetin e drogës.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco