VIDEO-SYRI TV/ SPAK kërkon konfiskimin e kompanive të Anton Gjinajt e të tjerëve

16:17, 24/07/2023
A+ Aa A-

Kompania Alessio 2014, një nga kompanitë e ndërtimit që është kontraktuar nga autoritete të ndryshme shtetërore apo ka punuar si nënkontraktor në ndërtim rrugësh, është një nga kompanitë që SPAK beson se janë krijuar nga të ardhura nga aktivitetet kriminale të pronarit, Anton Gjinaj, i cili është dënuar për drogë në Spanjë, dhe që për rrjedhojë, duhet të konfiskohen për llogari të shtetit.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK bëri të ditur të hënën se ka dërguar disa kërkesa për konfiskim në gjykatë për kompani, prona të paluajtëshme apo llogari bankare, në bazë të ligjit Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar…”, quajtur ndryshe ligji “Antimafia.

Konfiskimi i pasurisë është akti final që kryhet pas sekuestrimit të përkohshëm, i cili është vendosur për këto prona më parë. Sipas ligjit antimafia, prokuroria i sekuestron dhe më pas, kërkon konfiskimin e tyre nëse ka arsye të besojë se këto prona janë produkt i aktiviteteve të jashtëligjshme dhe nuk justifikohen me burime të ligjshme.

Në të shkuarën, autoritetet shqiptare janë kritikuar për përdorim të kufizuar të ligjit antimafia, një instrument i konceptuar si mjet për të hequr nga duart e organizatave kriminale mjetet ekonomike që mund të sjellin ndikim.

Prokuroria kërkon t'i sekuestrojë Anton (Pashik) Gjinaj (Gjini) dhe familjarëve të tij katër kompani nën pronësinë 100% të tij si dhe kompaninë Foralb Alabastër, në të cilën, përveç Gjinajt është aksioner edhe Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Shoqëritë XYZ 08 Sh.p.k dhe Garden Residence Turdiu u kërkuan të konfiskohen pasi janë në pronësi indirekte të Gjinajt përmes Alessio 2014.

SPAK vëren se Pashuk Gjini u dënua në Spanjë në vitin 2010 si pjesëtar i një grupi kriminal të cilit iu sekuestruan mbi 50 kilogramë heroinë, e cila dukej se kishte për destinacion tregun e zonave të turizmit detar në Alicante, Spanjë. Ai shpëtoi nga drejtësia spanjolle dhe erdhi në Shqipëri, ku u mor me biznes dhe ku në vitin 2011 ndryshoi emrin në Anton Gjinaj.

Sipas prokurorisë, rezulton se ai dhe familja e tij “kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se këto pasuri të paluajtshme apo të luajtshme, t'i kenë fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale që ai ka zhvilluar në Shqipëri dhe Spanjë.”

Përveç kompanive, Gjinajt i është sekuestruar dhe kërkuar për konfiskim edhe truall e ndërtesa në Laprakë, Marikaj e Lundër si dhe katër automjete.

SPAK bëri gjithashtu kërkesë për sekuestrimin e pronave të Bardhok e Kastriot Shota të dënuar në Belgjikë si dhe të pasurive të Veip Ormënaj, gjithashtu i dënuar në Belgjikë. Ormënajt iu sekuestruan tetë apartamente me sipërfaqe 776 metra katrorë në Orikum si dhe dy llogari bankare me gjendje afro 260 mijë euro. Bardhok Shotës dhe Kastriot Shotës iu identifikuan tre apartamente në Golem dhe një objekt në Derven, Krujë./ reporter.al/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco