SYRI TV/ Largohen pushuesit, ndërprerjet e gjata të energjisë dhe ujit shkaktojnë krizë në Sarandë

14:17, 18/07/2023
A+ Aa A-

Prej dy ditësh Saranda vuan mungesën e energjisë elektrike, pikërisht në kulm të sezonit turistik. Shkak për këtë mungesë është bërë një defekt në nënstacionin e Sarandës dhe dëmtimi i rrjetit. Por teksa turistët u zhytën në terr, ekspertët ngrenë dyshime se këto defekte vijnë si pasojë e mosmirëmbajtjes së nënstacioneve dhe rrjetit, ku veç pasojave tek qytetarët, sjellin edhe dëme në miliona euro.

Nga SYRI TV

Ndërkohë që Saranda është mbipopulluar nga turistët, paniku ka pushtuar qendrën e këtij qyteti pasi rrjeti i energjisë elektrike është këputur në mes të zonës së mbipopulluar.

Amortizimi i rrjetit, mosmirëmbajtja dhe mungesa e investimeve ka bërë që një pjesë e madhe e qytetit të Sarandës të vuajë për orë të tëra mungesën e energjisë, si gjatë mbrëmjes, ashtu edhe gjatë pikut të të nxehtit, duke u prishur pushimet jo pak turistëve që kishin zgjedhur Sarandën si destinacion.

OSHEE raportoi që mesditën e së hënës se shkak për ndërprerjen e energjisë është bërë një zjarr pranë nënstacioni të Sarandës, por pak minuta më pas po nga OSHEE u shpërnda një foto ku dukej nënstacioni i dëmtuar.  Faji në këtë rast iu la qytetarëve, mbingarkesës e pajisjeve të vjetra që përdorin, duke i penalizuar kështu në mes të temperaturave të larta pa energji. E situata e ndërprerjes së energjisë, vijoi edhe gjatë së martës, me orare në zona të ndryshme të qytetit e ndërhyrja për rikuperim duket e vështirë. Qytetarët shprehen të indinjuar me ndërprerjen aq më shumë në kulm të sezonit.

Ndërkohë që OSHEE dhe OSSH justifikohen me defektet, duket se situata të tilla janë të paralajmëruara e mund të parandaloheshin, nëse mirëmbajtja dhe investimet për të përballuar mbingarkesën do të bëheshin në kohë.

Sezoni turistik është i përvitshëm e ngarkesa në këtë periudhë është e pritshme, por duket se gatishmëria e këtyre institucioneve nuk ka qenë në të njëjtin nivel. Ndërkohë që Saranda lihet me rrjet e nënstacion elektrik të amortizuar, milionat e harxhuara nga OSSH dhe OSHEE nuk janë kursyer në asnjë moment. Vetëm pak ditë më parë, mediat kanë raportuar se si OSSH ka hapur tender 10 milionë euro për investime në dy nënstacione elektrike, por duket se qytetet e ngarkuara për shkak të sezonit ishin jashtë vëmendjes. E për këto investime, nuk munguan as dyshimet, ku drejtori i OSSH, Adriatik Kupi, i kreu pak pas zgjedhjeve të 14 majit, kur ndaj të cilit kishte pasur akuza për blerje votash e këto tendera ishin në kuadër të rikuperimit të shpenzimeve në fushatën e Tiranës në favor të Erion Veliaj.

Dëmi në nënstacionin e Sarandës përllogaritet në 500 mijë euro e kjo për shkak të mungesës së mirmbajtjes. Por ky nuk është rasti i vetëm, pasi në një periudhë të shkurtër, dëme në shifra kolosale kanë pësuar edhe nënstacionet e Korçës, Spitallës, Zogut të Zi, Selitë Sallmones, Vojnikut, Gropajt, Shkodrës, Vlorës, etj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco