Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka zbuluar se do të mbështesë Argjentinën në finalen e Kupës së Botës ndaj Spanjës, duke thënë se është shumë e vështirë të parashikosh humbjen e një skuadre kur në radhët e saj është Lionel Messi.
Trump, i cili pritet t’i dorëzojë trofeun e Kupës së Botës fituesit të finales, foli për televizionin Fox para ndeshjes dhe u pyet se cilën skuadër mendonte se do të triumfonte.
Presidenti amerikan tha se kishte menduar gjatë për këtë pyetje, pasi e dinte që do t’i kërkohej një parashikim. Pasi e cilësoi presidentin argjentinas Javier Milei si “një mik të tij” dhe vlerësoi punën e tij, Trump zgjodhi Argjentinën, kryesisht për shkak të yllit të saj, Lionel Messi.
“Është e vështirë të vësh bast kundër Messit. Ai është i jashtëzakonshëm”, deklaroi Trump, duke kujtuar edhe asistin vendimtar të Messit në gjysmëfinalen ndaj Anglisë.
“E pashë atë pasim… ishte perfekt. Nëse do të kishte një zonë goditjeje, topi shkoi pikërisht aty ku duhej. Pashë gjithashtu mënyrën se si ai u shkëput nga mbrojtësi. Ishte shumë mirë i mbuluar dhe papritur u gjend i vetëm”, tha presidenti amerikan.
Trump shmangu të jepte një përgjigje nëse Messi është lojtari më i mirë i të gjitha kohërave, duke përmendur edhe admirimin e tij për Cristiano Ronaldon dhe kujtimet nga koha kur shihte Pelén duke luajtur me New York Cosmos.
“Kam parë Pelé-në duke luajtur dhe ai ishte i madh. Këta janë lojtarë të jashtëzakonshëm dhe ka edhe të tjerë. Shikoni Francën, edhe Mbappé është një nga më të mëdhenjtë”, u shpreh Trump.
Ai shtoi se ka simpati për Messin dhe Ronaldon: “Gjithmonë më kanë pëlqyer Ronaldo dhe Messi. E takova Messin kohët e fundit dhe e njoh Cristianon. Ata kanë një jetë shumë të mirë, në fakt ndoshta më të lehtë se imja. Do të doja ta ndërroja jetën me ta për rreth një muaj”, tha me humor presidenti amerikan.
Në fund, Trump foli edhe për mundësinë që Kupa e Botës të rikthehet sërish në Shtetet e Bashkuara dhe tha se ka një ide për presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino.
Ai kujtoi se kishte pasur dyshime për numrin e tifozëve në stadiume, por sipas tij turneu rezultoi një sukses i madh, me impiantet pothuajse gjithmonë të mbushura.
© SYRI.net