Fotografi i fotos ikonike Messi–Yamal: Leo ishte shumë në siklet, nëna e Lamine na shpëtoi

Fotografi i fotos ikonike Messi–Yamal: Leo ishte shumë në siklet, nëna e Lamine na shpëtoi

09:40, 17/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Pak ditë para finales së Botërorit 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës, një fotografi e vitit 2007 ka pushtuar sërish rrjetet sociale. Në të shihet Lionel Messi duke i bërë banjë një Lamine Yamal vetëm disamuajsh, një imazh që sot duket sikur ka parashikuar përballjen mes dy yjeve në finalen e madhe.

Autori i fotografisë, Joan Monfort, ka rikujtuar historinë e realizimit të saj, duke pranuar se tani beson te fati.

"Nuk besoja te fati, por tani po", u shpreh fotografi, tashmë në pension, ndërsa kujtoi ditën kur realizoi setin fotografik.

Si lindi fotografia

Sipas Monfort, gjithçka nisi nga një projekt i përbashkët i Barcelonës dhe UNICEF-it për një kalendar bamirësie në prag të Krishtlindjeve.

"Klubi vendosi të bashkonte rastësisht një futbollist të ekipit të parë me një fëmijë nga Katalunja, për të përcjellë një mesazh human. Kur më thanë se foshnja ishte vetëm disamuajshe, u shqetësova. Teksa po i bëja banjë vajzës sime, më lindi ideja të përdorja një vaskë të vogël dhe një rosak lodër. Të nesërmen i mora me vete në 'Camp Nou'", tregoi ai.

Image

Messi ishte i emocionuar dhe në siklet

Monfort zbuloi edhe një detaj interesant për sjelljen e Lionel Messit gjatë fotosesionit.

"Edhe sot Messi është një person shumë i rezervuar, por atëherë ishte jashtëzakonisht i turpshëm. Kur pa një foshnjë kaq të vogël, u bë shumë nervoz. Ai mendonte se do të fotografonte një fëmijë më të rritur. Unë përpiqesha t'i jepja udhëzime, por njëkohësisht duhej të bëja edhe fotografitë. Në fund, ajo që na shpëtoi ishte nëna e Lamine Yamalit", kujtoi fotografi.

Falë ndihmës së saj, gjithçka shkoi sipas planit.

"Në fund të gjithë buzëqeshën. Misioni u përmbush", përfundoi Monfort.

Sot, 19 vite më vonë, ajo fotografi është shndërruar në një simbol. Foshnja që mbante në duar Lionel Messi është kthyer në një nga talentët më të mëdhenj të futbollit botëror dhe të dielën, në finalen e Botërorit 2026, Lamine Yamal do të përballet pikërisht me idhullin e tij për trofeun më të madh në futboll.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco