Lionel Messi dhe Kylian Mbappé janë në garë të fortë për çmimin “Këpuca e Artë” në Botërorin 2026, pasi të dy ‘yjet’ kanë realizuar nga 8 gola deri në këtë fazë të turneut. Megjithatë, në rast se ata e përfundojnë kompeticionin me të njëjtin numër finalizimesh, rregullorja e FIFA-s favorizon kapitenin e Argjentinës.
Sipas kritereve zyrtare të FIFA-s, kur dy ose më shumë lojtarë kanë numër të barabartë golash, vendimi nuk merret automatikisht me ndarjen e trofeut, por përdoren disa kritere shtesë.
Kriteri i parë është numri i asistimeve. Messi aktualisht ka avantazh ndaj Mbappé-së, pasi pas dy asistimeve të dhëna në gjysmëfinalen ndaj Anglisë për Enzo Fernandez-in dhe Lautaro Martinez-in, ai ka arritur në 4 asistime, ndërsa sulmuesi francez ka 3.
Neni 45 i rregullores së Botërorit 2026 përcakton se: në rast barazimi me gola, lojtari me më shumë asistime shpallet fitues i “Këpucës së Artë”.
Nëse edhe asistimet do të ishin të barabarta, atëherë kriteri i radhës do të ishte numri i minutave të luajtura. Çmimin do ta fitonte lojtari që ka realizuar të njëjtin numër golash në më pak kohë, duke vlerësuar efikasitetin më të madh.
Ky rregull nuk ka qenë gjithmonë në fuqi. Në të kaluarën, “Këpuca e Artë” është ndarë mes disa futbollistëve me të njëjtin numër golash. Një shembull është Botërori “Kili 1962”, ku gjashtë lojtarë shënuan nga katër gola dhe ndanë çmimin. Një tjetër rast ishte Botërori i SHBA-së në vitin 1994, kur Oleg Salenko dhe Hristo Stoichkov u shpallën bashkëfitues me nga gjashtë gola.
Kriteri i minutave të luajtura u fut për herë të parë në Botërorin 2006, ndërsa u bë vendimtar në vitin 2010, kur Thomas Müller fitoi “Këpucën e Artë” falë tri asistimeve, pavarësisht se kishte të njëjtin numër golash me disa rivalë.
Pra, nëse Messi dhe Mbappé e mbyllin Botërorin 2026 me të njëjtin numër golash, aktualisht Lionel Messi është në avantazh dhe do të ishte fituesi i “Këpucës së Artë” falë numrit më të madh të asistimeve.
© SYRI.net