Humbja 1-0 ndaj Spanjës në finalen e Kupës së Botës 2026 mund të shënojë fundin e një epoke për Argjentinën.
Trajneri Lionel Scaloni ka lënë të hapur mundësinë e largimit nga drejtimi i "Albiceleste", duke pranuar se i duhet kohë për të reflektuar mbi të ardhmen.
Trajneri 48-vjeçar deklaroi se fillimisht do të zhvillojë një takim me presidentin e Federatës Argjentinase të Futbollit, ndërsa kontrata e tij përfundon në muajin dhjetor.
Sipas tij, pas gjithë sukseseve të arritura, është momenti për të menduar me qetësi mbi hapin e radhës.
"Kam një ide se çfarë do të doja të bëja. Do ta përfundoj kontratën time dhe ndiej nevojën të reflektoj. Nuk e di nëse mund të arrihet sërish diçka kaq e madhe dhe duhet ta diskutojmë këtë", tha Scaloni.
Ai pranoi se rindërtimi i një skuadre me të njëjtin karakter dhe nivel është një sfidë shumë e vështirë, edhe pse jo e pamundur. "Për të vazhduar duhet të rifillosh gjithçka nga e para. Është vërtet e dhimbshme dhe më vjen shumë keq", shtoi ai.
Scaloni mori drejtimin e Argjentinës në vitin 2018 dhe gjatë tetë viteve në stol e shndërroi ekipin në një nga kombëtaret më të suksesshme në botë.
Ai fitoi Kupën e Botës 2022, dy trofe të Copa America (2021 dhe 2024), ndërsa këtë vit e çoi Argjentinën deri në finalen e Botërorit 2026.
Tashmë mbetet për t'u parë nëse humbja ndaj Spanjës do të jetë edhe ndeshja e tij e fundit në pankinën e kampionëve të Amerikës së Jugut.
© SYRI.net