Lionel Messi ka reaguar për herë të parë pas humbjes së Argjentinës në finalen e Kupës së Botës 2026 ndaj Spanjës. Pas gati 24 orësh nga disfata, kapiteni i “Albiceleste”-s publikoi një mesazh emocional në Instagram, ku shprehu zhgënjimin për humbjen, por edhe krenarinë për rrugëtimin e skuadrës.
“Dhimbja është e pafund dhe kësaj plage do t’i duhet shumë kohë për t’u shëruar. Por mbahem fort pas të gjitha kujtimeve të bukura... Ndeshjeve që përmbysëm duke dhënë maksimumin, momente që do të mbeten përgjithmonë në kujtesën tonë, si edhe mbështetjes së një vendi të tërë, që falë punës dhe përkushtimit të këtij grupi u rikthye edhe një herë në elitën e futbollit botëror”, shkroi Messi.
Sulmuesi argjentinas pranoi se zhgënjimi është ende shumë i madh, por nënvizoi se skuadra ka arritur një sukses të rëndësishëm duke luajtur në dy finale radhazi të Kupës së Botës.
“Në këtë moment është e vështirë ta vlerësosh plotësisht atë që kemi arritur, por ky grup arriti të luante në dy finale radhazi të Botërorit. Faleminderit nga zemra për çdo mesazh dhe përshëndetje. Edhe një herë, ne arritëm të bashkonim të gjithë vendin dhe të ndanim krenarinë e madhe për të qenë argjentinas”, vijoi ai.
Në fund të mesazhit, Messi zgjodhi të tregojë respekt për kampionët e rinj të botës. Pas polemikave që shpërthyen gjatë ceremonisë së ndarjes së medaljeve, ku disa futbollistë argjentinas u kritikuan për sjelljen e tyre gjatë festimeve të Spanjës, kapiteni i Argjentinës uroi publikisht kundërshtarët.
“Dua gjithashtu të përgëzoj Spanjën për fitimin e kampionatit”, përfundoi Messi, duke mbyllur kështu reagimin e tij të parë pas finales së humbur në Nju Jork.
© SYRI.net