Zbardhet fjalimi i Mbretit të Spanjës para kampionëve të botës: Ishte një odise, por fituat me guxim dhe shuat çdo kritikë

Zbardhet fjalimi i Mbretit të Spanjës para kampionëve të botës: Ishte një odise, por fituat me guxim dhe shuat çdo kritikë

20:36, 20/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Festimet për triumfin e Spanjës në Kupën e Botës 2026 kanë nisur zyrtarisht me kthimin e skuadrës në Madrid, ku kampionët e rinj të botës u pritën nga Mbreti Felipe VI. Kreu i shtetit spanjoll mbajti një fjalim emocionues për futbollistët e drejtuar nga Luis de la Fuente, duke i falënderuar për suksesin historik dhe për mënyrën se si e përfaqësuan vendin.

“Urime të gjithëve. Ishte një odise, rruga ishte e gjatë. Ishte një triumf epik. Jeni kthyer pak të dëmtuar dhe të lodhur. Gjatë rrugës dëgjuat edhe kritika, por ato tashmë janë zhdukur. Çfarë vlere kanë ato përballë gëzimit që i sollët Spanjës duke kthyer në shtëpi Kupën e Botës?”, u shpreh Felipe VI.

Mbreti vlerësoi karakterin dhe identitetin e skuadrës, duke theksuar se suksesi nuk erdhi vetëm falë cilësive teknike, por edhe shpirtit të grupit.

“Ju treguat grintë, rezistencë dhe guxim, duke i kombinuar gjithmonë me teknikën tuaj. Bashkuat mendjen me zemrën, treguat durim pa u dorëzuar kurrë dhe i qëndruat besnikë stilit tuaj karakteristik të lojës. Ishit një skuadër e bashkuar, solidare dhe bujare, dhe fituat me kurajë. Tashmë do t’i mbani përgjithmonë dy ‘yjet’ mbi fanellë, por për ne ju jeni një konstelacion i tërë yjesh që do të mbeteni përgjithmonë në historinë e futbollit dhe sportit spanjoll.”

Në fund të fjalimit të tij, Felipe VI kujtoi se kishin kaluar 16 vite nga titulli i parë botëror i Spanjës në vitin 2010 dhe theksoi krenarinë e të gjithë vendit për këtë brez futbollistësh.

“Ky sukses nuk është më diçka unike, por mbetet gjithmonë i jashtëzakonshëm. Gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë, kur disa prej jush ishin ende fëmijë, Spanja është sërish kampione e botës falë jush. Kur luan Kombëtarja, luan e gjithë Spanja. Tani që keni fituar, e keni bërë këtë për të gjithë popullin spanjoll. Ishte privilegj t’ju shihnim të ngrinit Kupën e Botës dhe sot është po aq privilegj t’ju mirëpresim në shtëpi. Ju presin shumë festime, pavarësisht lodhjes, dhe jam i bindur se do t’i shijoni. Urime kampionë!”

Fjalimi i Mbretit u prit me duartrokitje nga futbollistët dhe stafi teknik, ndërsa festimet për titullin e dytë botëror të Spanjës vazhdojnë në rrugët e Madridit mes mijëra tifozëve të “La Roja”-s.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco