Roberto Baggio ka zgjedhur humorin për të rikthyer në kujtesë një nga momentet më të dhimbshme të historisë së futbollit italian. Legjenda e “Axurrëve”, i pranishëm në Nju Jork si ambasador i FIFA-s për finalen e Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës, publikoi një postim që u bë menjëherë viral në rrjetet sociale.
Ish-fantazisti italian pozoi me trofeun e Kupës së Botës, ndërsa kishte mbuluar një pjesë të fytyrës me një shall, duke u shfaqur sikur ishte “i maskuar” si hajdut.
“Pas 32 vitesh nga ai i famshmi 17 korrik 1994, mendova se më në fund kisha gjetur mënyrën për t’ua sjellë italianëve Kupën e Botës… Për topin e penalltisë së asaj finale ende nuk ka asnjë lajm”, shkroi Baggio me shaka në profilin e tij në Instagram.
Me këtë batutë, ai rikujtoi finalen e Botërorit 1994 në Shtetet e Bashkuara, kur Italia u mposht nga Brazili pas goditjeve të penalltive. Baggio, protagonist absolut i rrugëtimit të Italisë drejt finales, humbi penalltinë vendimtare duke e dërguar topin mbi traversë, një episod që mbeti një nga imazhet më të dhimbshme në historinë e futbollit italian.
Tri dekada më vonë, “Bishti Hyjnor” tregoi se di të buzëqeshë edhe për atë kujtim të hidhur, duke fituar simpatinë e tifozëve me një postim plot vetironi gjatë finales së Botërorit 2026.

© SYRI.net