Trump dhe Infantino, dy figura që kërkuan të rrëmbenin skenën e Botërorit, por në fund fitoi futbolli

Trump dhe Infantino, dy figura që kërkuan të rrëmbenin skenën e Botërorit, por në fund fitoi futbolli

17:43, 20/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kupa e Botës 2026 do të mbahet mend për emocionet e mëdha në fushë, por edhe për polemikat jashtë saj. Sipas gazetarit britanik Jon Sopel, pavarësisht përpjekjeve të Donald Trump dhe presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, për të tërhequr vëmendjen mbi veten, në fund ishte vetë futbolli ai që doli fitues.

Në një analizë të tij, Sopel kritikon ashpër mënyrën se si dy figurat më të fuqishme të turneut u përpoqën të dominonin skenën, duke shkruar se “nëse do të bëhej një studim se si të humbasësh miq dhe të largosh njerëzit, ky do të ishte shembulli perfekt”.

Gazetari thekson se përpara fillimit të Botërorit kishte shumë pikëpyetje: a do të mbaheshin mend ndeshjet apo problemet jashtë fushës? A do të boshatiseshin stadiumet për shkak të çmimeve të larta? A do të kishte probleme me sigurinë dhe kontrollet ndaj tifozëve? A do të mbizotëronin egot e Trumpit dhe Infantinos mbi vetë spektaklin sportiv?

Megjithatë, sipas tij, për pjesën më të madhe të turneut, futbolli ishte protagonisti kryesor.

Një Botëror me histori dhe emocione

Sopel vlerëson paraqitjet e skuadrave më të vogla dhe historitë surprizuese të turneut. Kepi i Gjelbër, sipas tij, do ta kujtojë këtë Botëror me krenari të jashtëzakonshme pasi barazoi me Spanjën dhe çoi Argjentinën deri në kohën shtesë në fazën e 1/16-ave.

Ai veçon gjithashtu Egjiptin, Marokun dhe Republikën Demokratike të Kongos, ndërsa përmend atmosferën e jashtëzakonshme të tifozëve skocezë dhe ndikimin e norvegjezëve me daullet e tyre.

Në fushë, sipas tij, pati edhe momente të paharrueshme: Lionel Messi, në moshën 39-vjeçare, vazhdoi të dhuroi magji, Cristiano Ronaldo zhvilloi paraqitjen e fundit në skenën botërore, Erling Haaland tregoi forcën e tij, Kylian Mbappé mbeti një talent i jashtëzakonshëm, ndërsa Lamine Yamal u shfaq si ‘ylli’ i madh i së ardhmes.

Polemikat me FIFA-n dhe çështja Balogun

Por analiza kthehet te pjesa më e diskutueshme e turneut: ndërhyrja e FIFA-s në rastin e sulmuesit amerikan Folarin Balogun.

Sipas Sopel, futbolli funksionon vetëm nëse të gjithë respektojnë të njëjtat rregulla. Një karton i kuq sjell automatikisht pezullim, ndërsa vendimet disiplinore nuk duhet të ndryshojnë nga ndërhyrjet politike.

Ai kritikon faktin që pezullimi i Balogunit u pezullua pas presionit të presidentit amerikan Donald Trump, duke e cilësuar këtë si një moment që dëmtoi besimin te drejtësia sportive.

Gazetari sjell edhe një shembull nga ndeshja Angli-Meksikë në stadiumin Azteca, ku tifozët reaguan me fishkëllima të fuqishme ndaj Infantinos kur fytyra e tij u shfaq në ekranet gjigante.

Politika dhe sporti, një lidhje e pashmangshme

Sopel argumenton se edhe pse shpesh thuhet se politika duhet të qëndrojë larg sportit, historia tregon të kundërtën.

Ai kujton rastin e Katarit 2022, kur Anglia u paralajmërua për pasoja nëse lojtarët do të mbanin shirita me ngjyrat e ylberit, ndërsa përmend edhe rastin e lojtarëve argjentinas që shfaqën një pankartë për ishujt Falkland pas ndeshjes ndaj Anglisë, pa marrë masa nga FIFA.

Sipas tij, FIFA nuk ka qenë gjithmonë konsekuente në zbatimin e parimeve që deklaron.

Në fund fitoi loja

Pavarësisht gjithë polemikave, gazetari britanik pranon se pritshmëritë e tij për Botërorin ishin të ulëta, por në fund futbolli arriti të mbizotërojë.

Trump dhe Infantino tentuan të ishin në qendër të vëmendjes, por spektakli sportiv, golat dhe historitë e krijuara në fushë mbetën kujtimi kryesor i këtij Botërori.

Madje, Sopel përmend edhe një koment të Trump për taktikat e Anglisë në gjysmëfinalen ndaj Argjentinës. Edhe pse presidenti amerikan pranoi se nuk dinte shumë për futbollin, kritika e tij ndaj lojës shumë defensive të Anglisë pas avantazhit ishte një mendim që, sipas gazetarit, u nda nga miliona tifozë anglezë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco