Didier Deschamps i ka dhënë fund aventurës 14-vjeçare në krye të kombëtares franceze, por lamtumira e tij nuk ka qenë aspak e qetë.
Pas përfundimit të Botërorit 2026, ku Franca e mbylli turneun në vendin e katërt, tekniku francez ka shpërthyer ndaj klimës që, sipas tij, ishte bërë e papërballueshme.
“Kam vendosur të largohem sepse klima ishte bërë e padurueshme. Është më mirë për të gjithë”, deklaroi Deschamps, duke lënë të kuptohet se marrëdhëniet me mediat dhe drejtuesit e Federatës Franceze ishin përkeqësuar ndjeshëm.
Trajneri 57-vjeçar refuzoi madje edhe organizimin e një ceremonie lamtumire, ndërsa prej muajsh kishte pasur përplasje me drejtuesit e federatës.
Ai besonte se nuk gëzonte më mbështetjen e plotë, sidomos përballë kritikave të vazhdueshme nga opinioni publik dhe analistët.
Një nga kritikët më të ashpër të tij ishte ish-shoku i skuadrës Christophe Dugarry, i cili prej kohësh kishte kërkuar emërimin e Zinedine Zidane në stolin e "Gjelave".
Pavarësisht largimit mes polemikave, Deschamps lë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme.
Gjatë drejtimit të Francës ai fitoi Kupën e Botës në vitin 2018, Ligën e Kombeve, luajti një tjetër finale Botërori, një gjysmëfinale dhe një finale të Kampionatit Europian, duke u bërë një nga trajnerët më të suksesshëm në historinë e kombëtares franceze.
Tashmë gjithçka duket gati për nisjen e epokës së re, me Zinedine Zidane që pritet të marrë drejtimin e Francës.
© SYRI.net