Portieri i Spanjës, Unai Simon, ka pranuar se ai dhe shokët e skuadrës ende nuk e kanë kuptuar plotësisht madhështinë e triumfit në Kupën e Botës 2026, duke e cilësuar suksesin si një "çmenduri".
Gardiani i Athletic Bilbaos ishte një nga protagonistët kryesorë të "La Rojës", duke fituar "Dorezën e Artë" pas një turneu fantastik, ku regjistroi shtatë ndeshje pa pësuar gol. Spanja e mbylli Botërorin duke pësuar vetëm një gol në tetë ndeshje, rekord për një skuadër kampione.
"Ende po përpiqemi ta përpunojmë atë që ka ndodhur. Kur gjyqtari vërshëlleu fundin, thjesht thamë: 'E arritëm'. Besoj se kur të kthehemi në Spanjë, do ta kuptojmë çmendurinë që kemi bërë", deklaroi Simon.
Portieri spanjoll vlerësoi punën e trajnerit Luis de la Fuente, duke theksuar se ai arriti të mbante grupin të bashkuar gjatë gjithë 50 ditëve të grumbullimit dhe menaxhoi në mënyrë perfekte emocionet e lojtarëve.
Simon foli edhe për finalen ndaj Argjentinës, duke pranuar se skuadra e Lionel Scalonit u përpoq ta gjente vazhdimisht Lionel Messin me topa të gjatë, por Spanja nuk e humbi asnjëherë identitetin e saj.
Pavarësisht çmimit individual, 29-vjeçari refuzoi të merrte meritat personale për suksesin mbrojtës të ekipit.
"Nëse dorezat e mia do të mund të flisnin, do të thoshin se nuk kanë punuar aq shumë. Rekordi është meritë e gjithë skuadrës dhe e mbrojtjes sonë fantastike", përfundoi Simon.
© SYRI.net