Festimet për triumfin e Spanjës në finalen e Kupës së Botës 2026 janë kthyer në tragjedi në Ciudad Rodrigo, në provincën e Salamancës, ku një djalë 13-vjeçar humbi jetën pas shembjes së një shatërvani, ndërsa tre persona të tjerë mbetën të plagosur.
Sipas autoriteteve spanjolle, ngjarja ndodhi pak pas mesnatës në shatërvanin "Glorieta del Árbol Gordo", ku dhjetëra tifozë ishin ngjitur mbi strukturë për të festuar suksesin e kombëtares spanjolle.
Nën peshën e turmës, pjesa e sipërme e shatërvanit u shemb dhe një bllok guri goditi 13-vjeçarin, i cili më vonë ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.
Shërbimi i emergjencës 1-1-2 i Castilla y León njoftoi se alarmi u mor në orën 00:33, pas disa telefonatave që sinjalizonin shembjen e strukturës.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë Policia Lokale, Garda Civile, zjarrfikësit e provincës së Salamancës dhe ekipet e urgjencës mjekësore.
Dy të plagosur u transportuan në qendrën shëndetësore të Ciudad Rodrigo për trajtim, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë ende publike gjendjen e tyre shëndetësore.
Ndërkohë, për familjen e viktimës është aktivizuar Grupi i Ndërhyrjes Psikologjike për Fatkeqësi dhe Emergjenca.
Autoritetet spanjolle kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e shembjes së shatërvanit dhe për të zbardhur plotësisht rrethanat e tragjedisë që zbehu festën e titullit botëror të Spanjës.
© SYRI.net