Wenger: Botërori me 48 skuadra ishte një sukses, pamë futboll spektakolar

Wenger: Botërori me 48 skuadra ishte një sukses, pamë futboll spektakolar

17:16, 19/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Drejtori i Zhvillimit Global të Futbollit në FIFA, Arsène Wenger, ka vlerësuar pozitivisht edicionin e parë të Kupës së Botës me 48 kombëtare, duke theksuar se zgjerimi i turneut ka rezultuar një vendim i drejtë dhe i suksesshëm.

“Në fillim kishte shumë pikëpyetje për praninë e 48 skuadrave, por unë besoj se ishte një domosdoshmëri edhe nga pikëpamja etike, pasi disa konfederata nuk përfaqësoheshin mjaftueshëm. Kishte gjithashtu dyshime se disa kombëtare nuk do të ishin në nivelin e duhur, por turneu i hodhi poshtë të gjitha këto. Pamë ndeshje fantastike, spektakël të madh dhe u pa qartë se diferenca mes kombëtareve është ngushtuar”, deklaroi Wenger në bilancin e tij të parë për Botërorin 2026.

Ish-trajneri francez foli edhe për finalen mes Spanjës dhe Argjentinës, duke analizuar stilin e lojës së dy ekipeve.

Sipas Wenger-it, Spanja ka qenë skuadra që ka bindur më shumë me mënyrën e lojës, ndërsa Argjentina ka spikatur për karakterin dhe shpirtin e garës.

“Argjentina ka më shumë grintë, luan një futboll më fizik, tipik për Amerikën e Jugut, por zotëron edhe cilësi të jashtëzakonshme dhe një futbollist të jashtëzakonshëm. Ndërsa Spanja ka ndërtuar lojën e saj mbi inteligjencën dhe teknikën”, u shpreh ai.

Në përfundim, Wenger theksoi se ky Botëror ka dhënë një mesazh të rëndësishëm për futbollin.

“Besoj se duhet t'i kujtojmë botës se futbolli është mbi të gjitha çështje cilësie teknike dhe inteligjence, më shumë se çdo gjë tjetër”, përfundoi legjenda franceze.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco