Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

Agjensitë private të punësimit/ Ja rregullat e reja dhe si veprohet për punësimin jashtë vendit

Agjensitë private të punësimit/ Ja rregullat e reja dhe si veprohet për punësimin jashtë vendit

20:17, 23/02/2018
A+ Aa A-

Ndërmjetësimi për gjetjen e një vendi pune, brenda apo jashtë vendit, do të kryhet vetëm nga agjensite e liçensuara të punësimit. Kjo përcaktohet në vendimin më të fundit të qeverisë, sipas të cilit  Agjencia private e punësimit regjistrohet si person fizik/juridik, privat, dhe e ushtron veprimtarinë e ndërmjetësimit në punë, nëpërmjet këtyre shërbimeve:

a) Informimit, këshillimit, si dhe vlerësimit të kërkesave e të aplikimeve për ndërmjetësim për punësim;

b) Kërkimit të vendeve të punës;

c) Ndërmjetësimit për përcaktimin e kushteve dhe të lidhjeve e të marrëdhënieve të punës, ndërmjet punëkërkuesit dhe punëdhënësit.

Për të ushtruar aktivitetin e saj, agjencia duhet të pajiset me licencën e kategorisë X.2.A, “Ndërmjetësim në tregun e punës”, në zbatim të   ligjit nr.10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të vendimit nr.538, datë 26.5.2009, të Këshillit të Ministrave”, “Për licencat dhe lejet që trajtohen nga apo nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe disa rregulla të tjera nënligjore të përbashkëta”.

Për punësimin e shtetasve shqiptarë jashtë shtetit, agjencia zbaton të gjitha marrëveshjet dypalëshe të qeverisë shqiptare me vendet përkatëse.

Vendimi parashikon shërbimet e agjencisë për punëkërkuesit janë falas. Agjencia nuk e ngarkon punëkërkuesin me asnjë detyrim financiar, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, me përjashtim të pagesës së shpenzimeve të nevojshme për plotësimin e dosjes administrative të çdo punëkërkuesi.

Shpenzimet për shërbimin e ndërmjetësimit, të kryer nga agjencia, të përballohen nga pala punëdhënëse.

Agjencia siguron trajtim të barabartë për të gjithë punëkërkuesit.

Punëkërkuesi i ndërmjetësuar në punë nga agjencia gëzon të drejtën për negociimin kolektiv, pagën minimale, kohën dhe kushtet e punës, përfitimet e sigurimeve shoqërore, mbrojtjen e pasurisë dhe të shëndetit në punë.

Agjencia duhet të njoftojë punëkërkuesin për kushtet e punës dhe të punësimit, përpara fillimit të marrëdhënieve të punës.

Agjencia nuk duhet të ndërmjetësojë për punëkërkuesin në vende pune, që paraqesin rrezik e pasiguri për jetën dhe shëndetin e tij apo ku mund të jetë subjekt abuzimi apo trajtimi diskriminues.

Personeli i agjencisë, për shërbimet që ofron, duhet të ketë kualifikimin dhe trajnimin e nevojshëm.

Agjencia bashkëpunon me zyrat shtetërore të punësimit për:

a) mbledhjen, shkëmbimin e të dhënave dhe përdorimin e terminologjisë së përbashkët, për përmirësimin e transparencës së funksionimit të tregut të punës;

b) shkëmbimin e njoftimeve për vendet e lira të punës;

c) lidhjen e marrëveshjeve për zbatimin e veprimtarive të ndryshme;

ç) trajnimin e stafit.

Në rastet kur agjencia/personi fizik/juridik (ortaku, aksionari apo anëtari i organeve drejtuese të tij):

a) ka qenë i dënuar për vepra penale të kryera me dashje;

b) ka shkelur parimin e barazisë, duke diskriminuar punëkërkuesin;

c) provohet se ka kërkuar tarifa nga punëkërkuesi për shërbimet e ofruara drejtpërdrejt apo tërthorazi ose ka pranuar pagesa, mallra apo shërbime nga punëkërkuesi, përveç pagesës së parashikuar në pikën 5, të këtij vendimi;

ç) reklamon njoftime të rreme ose mashtruese për ndërmjetësimin;

d) bën deklarata, dëshmi të rreme ose përdor dokumente të falsifikuara;

dh) nxit drejtpërdrejt apo tërthorazi punëkërkuesin për t’u transferuar në një vend tjetër pune, përveç rastit kur transferimi është në interes të punëkërkuesit;

e) ndikon ose përpiqet të ndikojë çdo punëdhënës ose ndërmarrje për të mos punësuar disa persona;

ë) ofron shërbimet e veta për të miturit;

f) angazhohet të ndërmjetësojë për punëkërkuesin në vende pune, që cenojnë dinjitetin e Republikës së Shqipërisë;

g) pengon ose përpiqet të pengojë inspektimin e organeve përkatëse;

gj) nuk përmbush detyrimet për sigurimet shoqërore apo kontratat e punës për punëmarrësit e vet;

h) nuk respekton dispozitat e këtij vendimi,

Agjencia nuk duhet të regjistrojë në dosje apo regjistra të dhëna vetjake të punëkërkuesit, që nuk janë të nevojshme për të vlerësuar prirjen e tij për vendin e punës.

Agjencia duhet t’i ruajë të dhënat vetjake të një punëkërkuesi, vetëm për aq kohë sa justifikohet nga qëllimet e veçanta, për të cilat janë mbledhur këto të dhëna, apo për aq kohë sa punëkërkuesi dëshiron të mbetet në listën e kandidatëve të mundshëm për një vend pune.

Agjencia, përveç rasteve kur lidhet drejtpërdrejt me kërkesat për një profesion të veçantë apo me pëlqimin e punëkërkuesit të interesuar, nuk duhet të kërkojë, të ruajë apo të përdorë të dhëna për gjendjen mjekësore të një punëkërkuesi ose të përdorë një të dhënë të tillë për përcaktimin e përshtatshmërisë së tij për punësim.

Inspektorati Shtetëror i Punës kryen inspektime periodike për të përcaktuar përputhshmërinë e veprimtarisë së agjencisë me legjislacionin përkatës dhe, kur vëren shkelje, njofton ministrinë përgjegjëse për çështjet e punësimit.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco