Miratohet ngritja e Fondit Social/ Ja misioni dhe funksionimi...

Miratohet ngritja e Fondit Social/ Ja misioni dhe funksionimi...

19:59, 23/02/2018
A+ Aa A-

Qeveria miratoi në mbledhjen e sotme krijimin dhe funksionimin e Fondit Social. Sipas vendimit, ky Fond siguron mbështetje financiare për njësitë e vetëqeverisjes vendore, me qëllim përmirësimin e standardeve e të kapaciteteve administruese të shërbimeve ekzistuese të kujdesit shoqëror, planifikimin e krijimin e shërbimeve të reja, si dhe zhvillimin e politikave sociale.

Vendimi parashikon që Fondi Social krijohet me burime financiare nga:

a) fondet e kushtëzuara, që akordohen nga ministria përgjegjëse për çështjet sociale;

b) fondet nga buxhetet e njësive të vetëqeverisjes vendore, të parashikuara për shërbimet shoqërore;

c) të ardhurat nga organizatat jofitimprurëse, individët e bizneset, si dhe donatorë të huaj e lokalë;

ç) tarifat për shërbimet për përfituesit e shërbimeve të kujdesit shoqëror.

Njësia e vetëqeverisjes vendore vlerëson nevojat për ofrimin e shërbimeve të kujdesit shoqëror në nivel vendor, në përputhje me planin strategjik të zhvillimit dhe me programin buxhetor afatmesëm.

Njësia e vetëqeverisjes vendore vlerëson kapacitetet financiare dhe burimet njerëzore që mbështesin ofrimin e shërbimeve të kujdesit shoqëror në nivel vendor. Deri në miratimin e standardeve kombëtare, bashkitë duhet të marrin në konsideratë që të vazhdojnë ofrimin e të paktën atyre shërbimeve që kanë ofruar gjatë tri viteve të fundit.

Ministria përgjegjëse për çështjet sociale parashikon në buxhetin e saj fonde për financimin e shërbimeve të përkujdesjes shoqërore, të cilat u transferohen njësive të vetëqeverisjes vendore ku funksionojnë këto shërbime, bazuar në planet sociale të buxhetuara.

Vendimi parashikon që të gjitha shërbimet e përkujdesjes shoqërore, të parashikuara në kreun II, të ligjit për shërbimet e kujdesit shoqëror, të cilat konsiderohen si parësore nga bashkia, por që nuk mund të ofrohen prej saj, mund të ofrohen nga organizata jofitimprurëse, si ndërmarrje sociale apo struktura të ngjashme me to, që operojnë në këtë fushë private.

Njësia e vetëqeverisjes vendore prokuron shërbimet e kujdesit shoqëror dhe lidh kontratat me ofruesit e shërbimit, duke u dhënë përparësi ndërmarrjeve sociale në ofrimin e këtyre shërbimeve.

Ofruesit privatë, të kontraktuar nga njësia e vetëqeverisjes vendore dhe organizatat jofitimprurëse, ofrojnë shërbimet e kujdesit shoqëror, si pjesë e kontratës ose e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet palëve.

Njësia e vetëqeverisjes vendore raporton, çdo katër muaj, në lidhje me ofrimin e shërbimeve të kujdesit shoqëror, financuar me anë të fondit social, pranë Shërbimit Social Shtetëror.

Inspektorati që mbulon fushën e shërbimeve të kujdesit shoqëror, në përputhje me funksionet dhe kompetencat e parashikuara në nenin 35, të ligjit për shërbimet e kujdesit shoqëror, siguron zbatueshmërinë e standardeve të shërbimeve shoqërore të orfuara nga subjektet e kontraktuara nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.

Njësia e vetëqeverisjes vendore, paralelisht, monitoron ofrimin e shërbimeve të kujdesit shoqëror, sipas standardeve e treguesve të performancës, përcaktuar në marrëveshjen kontraktuale me nënkontratorët privatë dhe sipas marrëveshjes së bashkëpunimit me organizatat jofitimprurëse.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco