Para dhe pas zgjedhjeve, si ka ndryshuar Veliaj me banorët e Shkozës që po u prish shtëpitë

Para dhe pas zgjedhjeve, si ka ndryshuar Veliaj me banorët e Shkozës që po u prish shtëpitë

15:32, 19/09/2017
A+ Aa A-

Në majin e vitit 2016 bashkia e Tiranës nisi zbatimin e projektit të rikonstruksionit të rrugës “Ali Shefqeti”, që ndryshe njihet edhe si rruga e Shkozës, me gjatësi 2 km. Punimet në atë kohë u inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, si dhe nga deputeti i zonës, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.

“Kjo është arsyeja pse ne kemi hapur kantiere pune në të gjithë njësinë. Sigurisht, fokusin kryesor e kemi në rrugën kryesore, nga Ali Demi deri në Shkozë. E kuptoni fare mirë që nga ndërtimet pa leje, nga proceset informale të 25 viteve të fundit na duhet që një pjesë të kohës ta kalojmë me ndërtimin e infrastrukturës, një pjesë me kulturën qytetarë, pra duke u kërkuar qytetarëve që në emër të së mirës publike, të trotuareve dhe rrugëve të përbashkëta, të tërhiqen në avllitë e tyre për t’u siguruar që kemi rrugë dinjitoze dhe kemi një hapësirë publike që i trajton të gjithë si të barabartë”, - shprehej Veliaj në videon e përgatitut nga stafi i tij i PR-it.

Ai bëri të ditur se në total vetëm në njësinë nr. 1 bashkia ka investuar edhe 3 milionë dollarë të tjerë, çka është një pjesë e konsiderueshme dhe pothuajse sa 1/5 e investimeve të gjithë Bashkisë së Tiranës.

“Për respektin ndaj kësaj zone, për mënyrën se si i paguajnë taksat, për devotshmërinë që kanë si qytetarë të mirë, sigurisht që meritojnë që edhe bashkia t’u përgjigjet me të njëjtën monedhë”, - shtoi Veliaj.

Ministri Ditmir Bushati falenderoi në emër të banorëve të zonës Bashkinë e Tiranës për punën që po kryen në këtë njësi, jo vetëm në këtë rrugë, por edhe në disa blloqe banimi.

 “Jam i lumtur sot të konstatoj që i gjithë procesi i infrastukturës që po rindërtohet në zonë apo po bëhet nga e para, ka në qendër komunitetin, problemet e mëdha që ka komuniteti, shkollën, kopshtin, çerdhet dhe problemet e shumta që kanë pasur banorët me procesin e legalizimit. Është një proces, i cili kërkon pak durim dhe mirëkuptim dhe për këtë arsye partneriteti me komunitetin është shumë i rëndësishëm”, - u shpreh ministri, Bushati.

Ndërkohë, jo më larg se dy muaj nga sot, Veliaj ishte sërish në Shkozë për të inspektuar fillimin e punimeve për ndërtimin e 22 rrugëve në zonën e Shkozës.

 “Jam i lumtur sepse isha këtu ditën e fundit të fushatës dhe gjithmonë njerëzit kanë atë skepticizmin dhe thonë: A do të kthehen ndonjëherë?! Më vjen mirë që një muaj më pas kthehemi po te kjo zonë me një investim të filluar, me një premtim të mbajtur brenda muajit, për të siguruar çdo njeri, që kush votoi për punën, punë do të marrë, kush votoi për llafet dhe për gjumin gjumë, do të marrë llafe. Ndaj, besoj që kemi bërë vendimin e duhur. Po shfrytëzojmë maksimalisht kohën që njerëzit janë me pushime për t’u siguruar që kur ata të kthehen nga pushimet, t’i gjejnë gjërat të përfunduara. Po investojmë në një hapësirë e cila është zhvilluar e gjitha pas viteve ’90. Siç e shikoni vetëm pak metra më tej është kufiri i Tiranës së vjetër me Tiranën e Re, ku janë rreth 2500-3000 banorë, e për herë të parë fusim një investim”, - u shpreh Veliaj.

Kështu shprehej kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili inspektonte fillimin e punimeve për ndërtimin e 22 rrugëve në zonën e re të Shkozës para rreth dy muajsh. Veliaj shprehej se ky është se është një tjetër premtim i mbajtur, duke siguruar qytetarët se Bashkia e Tiranës është e fokusuar tek puna.

Ai shfaqet në video duke reklamuar se po investon në një zonë që nuk është investuar qysh pas viteve ’90. Ai shfaqet i qeshur, duket takuar njerëz dhe duke inspektuar punimet, ashtu siç bën zakonisht ne video e dërguara në media nga stafi i tij i PR-it. Aty nuk ka njerëz të pakënqur, çdokush bashkëpunon për ndryshimin dhe çdo gjë shkon vaj.

Por sot gjendja është shumë ndryshe. Banorët e zonën janë ngritur në protestë për shembjen e banesave të tyre. Reagimi i tyre vjen kundër prishjes së banesave të tyre për shkak zgjerimit të rrugës së Shkozës, në kuadër të një projekti të ARRSH-së dhe Ministrisë së Transporteve.

Janë 153 banesa që preken nga projekti dhe të mbetur pa asnjë zgjidhje. Banorët kanë dalë në një protestë të dytë, pas asaj më 14 shtator, ku bllokuan rrugën në Shkozë. Po ashtu, ata i janë drejtuar me një letër Ambasadës Amerikane dhe asaj të BE në vendin tonë duke i kërkuar ndihmë.

Nga ana tjetër, kryeministri Rama përmes facebook-ut është shprehur se këto ndërtime do të prishen se janë pa leje dhe bashkia e Tiranës do t'u ofrojë bonus qeraje si të pastrehë. Gjithashtu, Rama tha se nuk ka shans që këto ndërtime të legalizohen.

 “Për Shkozën është shumë e qartë, s’ka asgjë për të kthyer përgjigje: Janë ndërtime pa leje në mes të një rruge kryesore të Tiranës dhe duhet të prishen, ndërkohë që banorëve Bashkia e Tiranës duhet t’u ofrojë bonus qeraje si të pastrehë! Familjet këtë e dinë prej kohësh dhe ska asnjë shans as për ta dhe as për askënd tjetër që të legalizohen në mes të rrugëve e pastaj të shpronësohen me parate e kopshteve dhe cerdheve, spitaleve për të hapur rrugën që është e të gjithëve.” – shkruan Rama në Facebook.

Në një situatë tillë banorët e Shkozës vazhdojnë protestën e tyre, por ndryshe nga Veliaj, larg syrit të mediave kryesore. Ishte pamjet e rënda ku një vogëlush ulëriste e qante me të madhe për shoqërimin e të atit nga polica, të cilat e sollën në vëmendjen e opinionit publik këtë ngjarje.

Ndërkohë mëngjesin e sotëm, ashtu si në ndonjë pushtim, banorët janë gdhirë me forca të shumta policie në zonë, duke i ndaluar qytetarët të dalin nga banesat e tyre.

As Veliaj e as ndonjë deputet i zonës nuk ndodhet në zonë ditën e sotme. Kryetari i bashkisë Tiranë ndodhet në SHBA duke iu shmangur përballjes dhe përgjegjësisë, ndërsa ka zgjedhur që këtë çështje ta zgjidhë me forcën e policisë. Tani nuk ka më fjalë të mirë si “në emër të së mirës publike të tërhiqen në avllitë e tyre për t’u siguruar që kemi rrugë dinjitoze”, “për devotshmërinë që kanë si qytetarë të mirë, sigurisht që meritojnë që edhe bashkia t’u përgjigjet me të njëjtën monedhë”, apo “kush votoi për punën, punë do të marrë”.

Tani fjalët e bukura nuk pijnë më ujë. Në përpjekjet për të gjetur një zgjidhje dhe ndoshta në mungesën e dëshirën për të mos e patur një të tillë nga shteti dhe pushteti lokal, këta dy të fundit kanë vendosur që çështjen ta zgjidhin me forcën e policisë. Sjellje kjo që ndryshon nga ajo e parafushatës, ku Veliaj dhe deputetët i takojnë qytetarët derë më derë për t'i kërkuar votën. Tashmë mes fuksionarit të shtetit qëndron policia. “Kush voton për punën, mund të marrë dhe dhunën”./ Lapsi.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco