Loja e KQZ/ Armando Prenga mund të kandidojë sërish për deputet

Loja e KQZ/ Armando Prenga mund të kandidojë sërish për deputet

16:13, 27/02/2017
A+ Aa A-

Armando Prenga mund të jetë sërish kandidat për deputet. Dhe këtë mundësi, deputetit socialist që Prokuroria e Përgjithshme thotë se ka precedentë të shumtë penalë në Itali, ia dha sot KQZ –ja e drejtuar nga Denar Biba.

KQZ nuk mori vendim për ta shpallur të pavlefshëm mandatin e Armando Prengës.

Ajo nuk e shqyrtoi kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme që kishte konstatuar pavlefshmërinë e mandatit sipas ligjit të dekriminalizmit, pasi ai kishte fshehur një vendim me gjobë të Gjykatës së Kurbinit dhe i kishte kërkuar KQZ –së të vepronte në bazë të ligjit.

Duke e zvarritur vendimmarrjen prej të premtes dhe duke mos u shprehur sot me vendim, KQZ  i la mundësinë deputetit socialist që të dorëhiqet, duke evituar që ndaj tij të regjistrohet një rekord i dekriminalizimit, që do ta pengonte të ishte sërish kandidat në zgjedhje.

Nëse KQZ do të kishte vendosur për t’i ndërprerë mandatin, siç kërkoi organi i akuzës bazuar në ligjin e dekriminalizmit, vendimi do të ishte shoqëruar me heqjen e të drejtës për të paktën 10 vjet nga kandidimi.

Tani, pa një vendim të tillë, ai është i lirë të kërkojë sërish të zgjidhet.

Duke mos pasur një rekord të dekriminalizimit dhe duke e deklaruar vendimin e Gjykatës së Kurbinit në formularin e posaçëm, Armando Prengën nuk e pengon më asnjë ligj që të kërkojë sërish të jetë në listën e deputetëve. 

Vetë deputeti socialist, në letrën e dorëheqjes nga mandati që e dorëzoi sot në Parlament, e thekson me dënimin me gjobë të Gjykatës së Kurbinit, ai nuk është objekt i dekriminalizmit.

KQZ do të duhej ta merrte vendimin të premten e 24 shkurtit. Por ajo vendosi t’i kërkojë Prokurorisë së Përgjithshme informacione shtesë. Kjo kërkesë solli një reagim të prerë të Prokurorisë, e cila i kujtoi se duhet të zbatonte ligjin.

“Sipas Vendimit te Kuvendit nr.17/2016, mosplotesimi i te dhenave "....passjell perjashtimin e menjehershem nga funksioni publik....". Pra, vetem duke u mbeshtetur ne faktin qe ka nje vendim penal te padeklaruar (te gjykates se Kurbinit), deputetit duhet t'i nderpritet mandati. Prokuroria e Pergjithshme ka derguar pergjigjen diten e sotme për t'i dhëne mundesine KQZ-se qe te shqyrtoje brenda afatit ligjor vendimin e Prokurorise per konstatimin per nderprerje te mandatit te deputetit Prenga. KQZ ka detyrim qe te shqyrtoje vendimin e Prokurorise brenda 10 diteve nga vendimmarrja e Prokurorise. Prokuroria e Pergjithshme ka marre vendim per konstatimin e nderprerjes se mandatit te deputetit Prenga ne dt.15.02.2017”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Një ditë pas kësaj përgjigjje, Armando Prenga vendos të japë dorëheqjen. Ai e ka firmosur atë më 25 shkurt, të shtunën. Në këtë mënyrë ai evitoi që të pengohej për të kandiduar. Në këtë mënyrë, përmes dredhive proceduriale KQZ i dha atij mundësinë për të kandiduar, duke mos marrë vendim për ta shpallur të pavlefshëm mandatin e tij.

Në këtë mënyrë KQZ tregoi vullnetin që ajo ka për të zbatuar dekriminalizmin kur bëhet fjalë për “të fortët” që kryeministri ka sjellë në parlament. Ajo nuk veproi kështu në rastin e deputetëve Shkëlqim Selami e Dashamir Tahiri.

Më këtë dredhi, nuk është çudi që Armando Prengën ta shohim sërish deputet. Sepse, Partia Socialiste që e kandidoi atë, ka dhënë tashmë prova të mosdistancimit nga të tillë personazhe.

Rasti më i mirë është ai Arben Ndokës që komandon mes socialistëve të Lezhës dhe ishte mjaft aktiv në zgjedhjet e pjesshme vendore të Dibrës. Më flagranti është rasti i ish –kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshit, i cili firmos ende si kryetar Bashkie dhe merr pjesë në takimet e Partisë Socialiste dhe të ministrave të qeverisë Rama. /Lapsi.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco