Arsenal-Manchester City, garë për titullin me fotofinish

Arsenal-Manchester City, garë për titullin me fotofinish

16:10, 06/05/2024

Arsenali fiton, Manchester City i përgjigjet. Duket se do të jetë kjo panorama edhe në javët e mbetura të Premier Ligës, derisa java e 38-të t’i thotë stop një sezoni spektakolar të Premier Ligës ku për protagonist pati sërish kampionët e Guardiolës dhe Arsenalin e Artetës.

Në javën e 36-të të kampionatit anglez, Arsenali i imponohet Bournemouthit 3-0 falë një penalltie të Bukajo Saka në minutën e fundit të pjesës së parë, golit të Trosardit në pjesën e dytë dhe diagonales së Rajsit në kohën shtesë.

“Topçinjtë” mbeten të parët në klasifikim, në kuotën e 83 pikëve dhe me shpresën e një hapi fals të rivalëve të Mançester Sitit, që kanë edhe një ndeshje për të rikuperuar dhe nëse i fitojnë ato atëherë titullin e katërt radhazi nuk ia heq dot askush nga duart. “Në zemrën dhe shpirtin tim shpresa është që City të pengohet. Ju e dini se çfarë po ndodh me emocionet e mia. Ti dëshiron të fitosh ndeshjet e tua dhe të tjerët të lënë pikët që ti shpreson të ndodhë. Dhe kur Siti i fiton ndeshjet e veta ti duhet të menaxhosh emocionet, sepse nuk ka rëndësi se çfarë ndodh atë ditë. Ka ende edhe disa ndeshje dhe pikë për të luajtur. Ne duhet të luajmë mirë, përgatitemi të fitojmë ndeshjen e radhës. Këtë do të përpiqemi të bëjmë deri në fund, pastaj do të shohim”, tha trajneri i “topçinjve”, Mikel Arteta.

Erling Haland largohet nga fusha duke u ankuar. Tetë minuta nga fundi i ndeshjes. Ai ulet në stol me shpërthime zemërimi, duke vazhduar monologun e tij të tërbimit, pasi ka shkëmbyer disa batuta më pak se të përzemërta me Pep Guardiolën.

Julian Alvarez , i cili hyri në vend të tij, shënoi golin 5-1 pak çaste më vonë, me topin e parë që preku.

Një top që Haland do të kishte dashur dëshpërimisht ta gjuante në rrjetë, për ta dërguar numrin e golave të tij personal në pesë, në një ndeshje që e ka parë atë praktikisht të mbyllë luftën për kreun e golashënuesit më të mirë. Por ajo që ka rëndësi është se Siti mbetet ende me fatin e titullit në dorën e vetë dhe në tri ndeshjet e fundit luan për të parakaluar edhe Arsenalin nëse nuk gabon. Por Pep Guardiola nuk bën drama. “Gjëja më e rëndësishme është se kanë ngelur edhe vetëm dy javë, tri ndeshje.

Nëntë pikë dhe jemi kampionë. Nëse bëjmë 7, 6, 3 pikë, atëherë Arsenali fiton titullin. Ne fituam 5-1, por rezultati për mua është i gënjeshtërt. Humbëm shumë topa të thjesht. Shumë urime Uolvesit. Erling është i lumtur. Ishte i frustruar për shkak të shumë faulleve që i shkaktonin. Ai ka ende nevojë për kohë që të jetë në formën maksimale, sapo është kthyer. Jam shumë i kënaqur nga loja dhe golat e tij", tha tekniku i Cityt.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco