Ngritet aktakuzë ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt, dyshohet se i shkaktuan dëm buxhetit mbi 125 mijë euro

Ngritet aktakuzë ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt, dyshohet se i shkaktuan dëm buxhetit mbi 125 mijë euro

11:25, 10/09/2025

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Mujka akuzohet në pozitën e nënkryetarit të komunës së Mitrovicës së Jugut, dhe Hysen Muzliukajt si Drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në të njëjtën komunë, me dashje dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kanë tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për persona të tretë dhe në dëm të pronës publike.

Sipas aktakuzës, më 25.04.2021, të pandehurit, duke qenë në dijeni se Kuvendi i Komunës kishte marrë dy herë vendim për shpalljen me interes të posaçëm publik të një prone të paluajtshme, i paraqitën po këtij Kuvendi një Propozim-Vendim për këmbimin e të njëjtës prone, duke e paraqitur atë si pronë komunale, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm prej 125,100.00 euro Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Ndërkohë, i pandehuri Mujka akuzohet edhe për veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”.

Në kuadër të aktakuzës, PSRK ka propozuar: Shqiptimin e dënimeve plotësuese ndaj dy të pandehurve.

Mujka e Muzliukaj ishin arrestuar më 2023 pas një operacioni anti-korrupsion. Atë kohë ishin kryer edhe bastisje në dy lokacione pronë e dy të dyshuarve tashmë, dhe në njërin lokacion ishin gjetur dhe sekuestruar 60 mijë euro.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco