Në ditën e 24-të të protestës masive përpara Kryeministrisë ku kërkohet dorëheqja e Edi Ramës dhe qeverisë së tij, sheshi është mbushur plot me qytetarë, thirrje dhe fjalime kundër qeverisë.
Një nga fjalimet më interesante të sotme ishte ai i një qytetari të ardhur nga SHBA, i cili ka përdorur një gjuhë të drejtpërdrejtë, ironike dhe akuzuese ndaj kryeministrit Edi Rama dhe drejtuesve të lartë të qeverisë, duke e përqendruar fjalën e tij te korrupsioni dhe mungesa e llogaridhënies.
‘Edi Rama po na ha bukën me gjithë thërrime’, u shpreh ai para protestuesve, duke marrë duartrokitje të forta nga turma. Më tej, qytetari ka vijuar me akuza ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, duke kërkuar që ato të përballen me drejtësinë në SPAK.
‘E kërkoi SPAK këtë Belindën, Belushja. Unë dua ta përkëdhel, Linda. Sa bukur që flet, ka një zë të ëmbël sikur ha mjaltë në gojë gjithë ditën. Po turp mor, çoje atje në SPAK të ballafaqohet nëse është e zonja të përgjigjet dhe të thotë që është e ndershme dhe të shkojë atje në parlament ku ishte’, tha protestuesi.
Ai ndaloi edhe te ish-drejtoresha e AKSHI-t, duke ironizuar deklaratat e mëhershme publike për gjendjen e saj ekonomike dhe mënyrën e jetesës.
‘Kjo Karçanaj e AKSHI-t. Na doli Rama sa nuk qante ai dhe sa nuk qaja unë, na tha se ishte me shtëpi me qira. Mos thashë, doja numër telefoni të saj t’i dërgoja ndonjë qindarkë të shkretës, po kur na doli pas dy javësh ajo ishte me vila e kështjella’, u shpreh ai.
Protesta vijon prej 24 ditësh përpara godinës së Kryeministrisë, me qytetarë që kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës dhe hetime të thelluara ndaj qeveritarëve të lartë nga Prokuroria e Posaçme.
© SYRI.net