“Si nuk u ngopën kurrë?” Abdixhiku shpërthen ndaj kritikëve brenda LDK-së

“Si nuk u ngopën kurrë?” Abdixhiku shpërthen ndaj kritikëve brenda LDK-së

20:36, 23/06/2026

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj kërkesave publike për dorëheqjen e tij, të bëra nga kryetarët e degëve të partisë në Pejë dhe Lipjan.

Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku tha se do të kishte qenë më korrekte që kërkesat për largimin e tij të diskutoheshin ballë për ballë dhe jo përmes mediave, duke kujtuar bashkëpunimin e deritanishëm me ta.

Ai pranoi se rezultatet e LDK-së në Pejë dhe Lipjan nuk kanë qenë të kënaqshme, por theksoi se fakti që partia ka dalë e treta në komuna ku ushtron pushtet tregon, sipas tij, për “një sabotim të thellë” dhe për ekzistencën e një projekti që nuk është i LDK-së.

Abdixhiku rikujtoi se çështjen e dorëheqjes së tij e kishte trajtuar në Kuvendin e partisë më 31 janar dhe se anëtarësia kishte dhënë qëndrimin e saj. Në anën tjetër, ai kërkoi dorëheqje morale nga kryetarët e degëve në Pejë dhe Lipjan për performancën e dobët dhe rezultatin më të ulët ndër vite në këto dy degë.

Kreu i LDK-së paralajmëroi se nuk do të lejojë, siç u shpreh ai, që “projektet e ndarjeve të LDK-së nga sabotues të qëllimshëm” të marrin formë, duke shtuar se përpjekje të tilla kanë dështuar më herët dhe do të dështojnë sërish.

“LDK nuk është konfederatë e interesave lokale, as platformë e karrierave individuale. LDK mbetet parti nacionale. E vetes. E askujt tjetër”, ka shkruar Abdixhiku.

Në fund të reagimit, ai u bëri thirrje anëtarëve të partisë të ruajnë qetësinë dhe unitetin, ndërsa shprehu keqardhje për, siç tha, përpjekjet për dëmtimin e partisë nga brenda në momente të rëndësishme për LDK-në dhe vendin.

“Si nuk u ngopën kurrë?!”, përfundon reagimi i Abdixhikut.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco