Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Pejë ka kërkuar përgjegjësi nga lidershipi i partisë pas rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, duke kërkuar edhe dorëheqjen.
Në një reagim të publikuar në rrjetin social Facebook, dega e LDK-së thotë se përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja.
“Pas mbledhjes së Kryesisë dhe analizës së rezultateve të zgjedhjeve të qershorit, me shumicë votash, anëtarët e Kryesisë në Pejë kanë kërkuar reflektim të thellë politik dhe marrjen e përgjegjësisë nga lidershipi i partisë.
Në këtë drejtim, është kërkuar dorëheqja si akt moral dhe politik, duke vlerësuar se përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja.
Kryesia konsideron se ky duhet të jetë një imperativ i qartë i kësaj shtëpie të demokracisë, në funksion të ruajtjes së besimit të anëtarësisë dhe forcimit të standardeve demokratike brenda partisë”, thuhet në reagim.
© SYRI.net