Kreu i Degës së LDK në Ferizaj, Visar Azemi, ka reaguar pas kërkesave që janë bërë nga disa prej Degëve për dorëheqje të Lumir Abdixhikut.
Sikurse Ilir Ferati, edhe ai i ka dalë në mbështetje Abdixhikut.
Azemi ka deklaruar se diksush po zgjedh “ta dëmtojë LDK-në nga brenda”.
“Unë i jap mbështetje të plotë Kryetarit Lumir Abdixhiku dhe procesit të bashkimit të madh të LDK-së. Jo sepse nuk duhet të ketë mendime ndryshe, por sepse vendimet e mëdha janë marrë, proceset demokratike janë kry dhe tani kemi detyrimin të ecim përpara”, ka shkruar Azemi.
Postimi i plotë:
Nuk është as koha e as mënyra që mungesa e përgjegjësisë për rezultatet e dobëta nëpër degë të maskohet me kërkesa publike për dorëheqjen e Kryetarit të Partisë. Secili duhet së pari ta bëjë llogarinë para anëtarësisë së vet dhe të pyesë veten nëse ka bërë mjaftueshëm për ta bërë LDK-në më të fortë në zgjedhjet e fundit.
Në këto zgjedhje, shumë njerëz punuan me mish e me shpirt për rritjen e LDK-së. Prandaj është zhgënjyese kur, në vend të reflektimit dhe mirënjohjes ndaj këtij angazhimi, dikush zgjedh ta dëmtojë LDK-në nga brenda.
Unë i jap mbështetje të plotë Kryetarit Lumir Abdixhiku dhe procesit të bashkimit të madh të LDK-së. Jo sepse nuk duhet të ketë mendime ndryshe, por sepse vendimet e mëdha janë marrë, proceset demokratike janë kry dhe tani kemi detyrimin të ecim përpara.
Si Kryetar i Degës së LDK-së në Ferizaj, besoj se nuk kemi të drejtë ti humbim energjitë tona në beteja të brendshme e në agjenda personale. Republika pret shumë më tepër prej nesh. Qytetarët presin alternativë serioze dhe një LDK të bashkuar.
Ata që me të vërtetë e duan LDK-në, sot kanë një detyrë ta forcojnë atë, jo ta lodhin me konflikte të pafundme.
© SYRI.net