Nga Luçiano Boçi
Postimi i fundit i Edi Ramës ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut zbulon panikun e tij.
Reagimi i tij është shpërthim i një pushteti që ndien rënien.
Po, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë diasporë e Shqipërisë. Ata janë popull shtetformues në vendin e tyre, faktor historik, politik dhe kushtetues.
Po, shqiptarët e Kosovës nuk janë diasporë e askujt. Ata kanë shtetin e tyre të pavarur, të ngritur mbi sakrificë, gjak, qëndresë dhe mbështetje të botës demokratike.
Por këtu nis mashtrimi i Ramës.
Ai merr një të vërtetë terminologjike dhe e kthen në armë politike kundër shqiptarëve që nuk i binden.
Nuk e përdor fjalën për të mbrojtur dinjitetin kombëtar, por për të ndarë shqiptarët në të dobishëm dhe të padobishëm, në ata që duartrokasin dhe ata që guxojnë të kundërshtojnë.
Rama, merr pozën e gjithkahershme të një antikombëtari.
Kush i shkon pas, shpallet patriot.
Kush proteston, shpallet turmë, kërcënim, dekor turpi.
Sipas kësaj logjike, atdheu nuk është më Shqipëria, Kosova, Tetova, Presheva, Ulqini apo mërgata. Atdheu bëhet karrigia e Edi Ramës.
Gjuha e përdorur prej tij është gjuhë përçarjeje.
Kur flamuri kombëtar trajtohet si dekor i një farse, kur plisi përdoret për tallje, kur shqiptarët përtej kufirit përshkruhen si problem vetëm pse nuk rreshtohen politikisht, atëherë nuk kemi më thjesht arrogancë.
Kjo është rrëshqitje morale, kombëtare dhe pse jo psikike.
Sepse plisi nuk nxihet nga qytetari që proteston.
Plisi nxihet kur pushteti tallet me të.
Flamuri nuk përdhoset nga shqiptarët që ngrihen në shesh. Flamuri përdhoset kur kryeministri e ndan kombin në “tanët” dhe “armiqtë”.
Akoma më e rëndë është përpjekja për të përdorur UÇK-në si dekor akuze. Flamuri i UÇK-së nuk është pronë partie, as pronë qeverie, dhe aq më pak pronë e një kryeministri që historinë e kujton vetëm kur i duhet për propagandë.
UÇK-ja u ngrit për liri, dinjitet dhe të drejtën e shqiptarëve për të mos u përulur, jo që një ditë të përdorej kundër shqiptarëve që protestojnë.
Këtu qëndron hipokrizia.
Rama hiqet si mbrojtës i Kosovës, por fyen qytetarët e saj kur nuk i pëlqejnë politikisht.
Hiqet si mik i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, por i përçmon sapo nuk futen në skenografinë e tij.
Hiqet si gardian i imazhit kombëtar, ndërkohë që imazhin e shqiptarëve e dëmton me arrogancë, ndarje dhe përbuzje.
Në thelb, ky postim nuk flet për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
Ai flet për frikën e Edi Ramës. Për një pushtet që ka humbur qetësinë. Për një kryeministër që nuk pranon dot se shqiptarët, brenda dhe jashtë kufirit të Shqipërisë, nuk janë dekor i tij.
E nën panik ai zgjedh të fyejë, të ndajë, të mbrojë pushtetin e vet duke goditur ndjeshmërinë kombëtare.
Kjo është arsyeja pse ky postim nuk duhet kaluar si batutë e radhës.
Ai është sulm me hije tradhëtari ndaj interesave të shqiptarëve e qytetarëve!
© SYRI.net