Rreth një muaj para zgjedhjeve, anulohet tenderi 230 mijë eurosh për shërbimet postare për votimin jashtë Kosovës

Rreth një muaj para zgjedhjeve, anulohet tenderi 230 mijë eurosh për shërbimet postare për votimin jashtë Kosovës

14:20, 08/09/2025

Rreth një muaj para zgjedhjeve, tenderi 230 mijë eurosh i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shërbime postare për votimin jashtë Kosovës, është anuluar.

Si arsye e anulimit të këtij aktiviteti të prokurorimit është thënë se të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime të cilat në masë substanciale e tejkalojnë buxhetin e autoritetit kontraktues.

Sipas dosjes së tenderit të publikuar në platformën e-Prokurimi, figuron se për këtë tender ka ofertuar vetëm një kompani “3P SH.P.K”, me çmim 361 mijë e 132 euro, e pas zbritjes 299 mijë e 630 euro, shumë që prapë e tejkalon vlerën e parashikuar të kontratës nga KQZ. Tenderi është anuluar më 5 shtator.

Në njoftimin e publikuar në e-prokurim, përmes këtij aktiviteti të prokurimit, do të bëhej kontraktimit të një kompanie që do të kryej shërbimet postare për dërgimin e pakove me fletëvotime për votuesit që deklarojnë vendqëndrimin jashtë kontinentit të Evropës në mënyrë që fletëvotimet tu arrijnë në kohë.

Shërbime të njëjta ofrohen edhe nga Posta e Kosovës, mirëpo shkaku i kohëzgjatjes së arritjes së dërgesave, është konstatuar se Posta s’mund të kryej shërbimin e tërheqjes së pakove në 22 shtete.

“Duke marrë parasysh që shërbime të njëjta ofrohen nga autoriteti publik Posta e Kosovës, Sekretariati ka mbajtur takime me përfaqësuesit e tyre ku jemi informuar se kohëzgjatja e arritjes së dërgesave në kontinentet jashtë Evropës është afërsisht 2 javë,si dhe Posta e Kosovës nuk mund të kryej shërbimin e tërheqjes së pakove me fletëvotime nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtetet, andaj është i nevojshëm kontraktimi i OE që kanë autorizime ose marrëveshje me kompanitë ndërkombëtare të postave të shpejta (Express) në mënyrë që KQZ të përmbushë obligimet ligjore për operacionin e votimit jashtë Kosovës për zgjedhjet Lokale 2025”, thuhet në dokument.

Shtetet në të cilat hapen kutitë postare përfshijnë: Australinë, Austrinë, Belgjikën, Çekinë, Danimarkën, Francën, Gjermaninë, Holandën, Hungarinë, Italinë, Kanadën, Kroacinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Mbretërinë e Bashkuar, Norvegjinë, ShBA’në, Shqipërinë, Slloveninë, Suedinë, Turqinë dhe Zvicrën.

Ndërkohë, tek lista e shteteve në të cilat mund të dërgohen zarfet me flëtvotime renditen: Andorra, Angola, Arabia Saudite, Armenia, Bahreini, Bangladeshi, Brazili, Çadi, Emiratet e Bashkuara Arabe, Filipinet, Fixhi, Gjeorgjia, Gjibraltari, Guajana, Guajana Franceze, Iraku, Irlanda, Islanda, Izreaeli, Japonia, Kanadaja, Katari, Kazakistani, Kenia, Kina, Kuvajti, Malajzia, Mauritania, Mbretëria e Bashkuar, Mongolia, Nikaragua, Panama, San Marino, Senegali, Sudani i Jugut, Surinami, Tajlanda, Turqia, Ukraina, Xhibuti dhe Zelanda e Re.

Kompania ka përgjegjësinë e transportimit të sigurt të materialeve, përfshirë dërgimin e zarfeve me fletëvotime në adresën e votuesit dhe kthimin e materialeve në lokacionin e përcaktuar nga KQZ, në Kosovë.

“Afatet e dërgimit të dërgesave janë si më poshtë:

-Dërgimi i zarfeve me fletëvotime në adresën e votuesit jashtë Kosovës bëhet në afat brenda 72 orëve.

– Kthimi i materialeve në Kosovë bëhet në afat jo me vonë se 72 orë për dërgesat nga Evropa dhe deri në 96 orë për shtetet e tjera”, thuhet në dosje.

Në dokument thuhet se lista e shteteve se ku do të dërgohen zarfet me fletëvotime do të përcaktohet pas regjistrimit të votuesve.

“Kjo listë mund të pësojë ndryshime – pra, shtetet e përfshira mund të shtohen ose të largohen, varësisht nga të dhënat përfundimtare të regjistrimit. Faturimi, përkatësisht pagesa do të bëhet vetëm për numrin e votuesve të regjistruar përkatësisht të cilëve u dërgohet pako.”

Ndryshe, afati për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim me postë në zgjedhjet lokale ka përfunduar më 29 gusht.

Nga 23 korriku kur është hapur afati e deri në përfundim të tij, KQZ ka pranuar 56 mijë e 778 aplikime.

Prej tyre, janë aprovuar 46 mijë e 15, derisa 10 mijë e 94 janë refuzuar.

Me më së shumti aplikime prijnë mërgimtarët që jetojnë në Gjermani, Zvicër, Austri, Itali dhe Francë

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco