Gurakuç Kuçi nga Octopus ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me zhvillimet në veri të Kosovës, ku sipas tij Serbia është duke përgatitur një strategji të rrezikshme për zgjedhjet lokale të tetorit.
Sipas Kuçit, shpërndarja e parullave nacionaliste në veri nuk është thjesht retorikë elektorale, por pjesë e një plani të koordinuar nga Beogradi për të kontrolluar vullnetin politik të serbëve në Kosovë.
Ai thekson se kjo strategji mbështetet mbi disa mekanizma të njohur:
“Ky nuk është një proces i rastësishëm, por një strategji hibride e konsoliduar, ku demokracia përdoret për ta minuar vetë demokracinë”, shkruan Kuçi.
Ai paralajmëron se kjo atmosferë e rreme “rezistence civile” mund të shfrytëzohet për qëllime më të gjera destabilizuese në rajon, dhe se Kosova nuk mund ta përballojë e vetme këtë situatë.
Kuçi apelon që SHBA-ja, BE-ja, Britania e Madhe, OSBE-ja dhe Këshilli i Evropës të ndërhyjnë për të ndaluar manipulimet e Serbisë. Ai gjithashtu u bën thirrje institucioneve të Kosovës që të ekspozojnë çdo akt jo-demokratik të Beogradit dhe Listës Serbe.
“Heshtja do të ishte rrezik. Rikthimi i bandave të strukturuara të Radojiçiqit dhe Veselinoviçit, të sanksionuar nga SHBA-ja më 2021, do ta kthente veriun në një realitet kriminal të kaluar. Ky është skenari që duhet të parandalohet me çdo kusht”, ka shkruar Kuçi.
Postim i plotë:
Serbia po përgatit “rezistencë civile” në zgjedhjet e tetorit në Kosovë
Shpërndarja e parullave nacionaliste në veri të Kosovës në prag të zgjedhjeve lokale është pjesë e një strategjie të koordinuar nga Beogradi për të kontrolluar vullnetin politik të serbëve në Kosovë.
Kjo strategji mbështetet mbi disa mekanizma të njohur:
- Skemat sociale – përdorimi i fondeve shtetërore si mjet për blerjen e votës;
- Instrumentalizimi i nacionalizmit – paraqitja e pjesëmarrjes në zgjedhje dhe gjithë atmosferës parazgjedhore si formë “rezistence civile” kundër Kosovës;
- Stigmatizimi – kërcënimi me shpallje “tradhtar” i çdo serbi që nuk ndjek Listën Serbe;
- Mobilizimi artificial – transportimi i votuesve nga Serbia për të votuar në Kosovë;
- Presioni direkt – kërcënime dhe shantazhe ndaj qytetarëve.
Këto metoda nuk janë të reja. Serbia ka ndjekur qasje të ngjashme në zgjedhje në Kosovë, në rajonin e Ballkanit Perëndimor, e deri në Moldavi. Pra, nuk bëhet fjalë për incidente të rastësishme, por për një strategji hibride të konsoliduar: përdorimin e demokracisë si instrument për ta minuar vetë demokracinë.
Parullat e fundit nacionaliste në veri nuk janë thjesht retorikë elektorale. Ato synojnë krijimin e një atmosfere të rreme “rezistence civile” tek serbët e Kosovës. Një klimë e tillë mund të shfrytëzohet për qëllime më të gjera destabilizuese, përtej procesit elektoral.
Shtetet dhe institucionet ndërkombëtare si SHBA-ja, BE-ja, Britania e Madhe, OSBE-ja, Këshilli i Evropës, etj., duhet të ndërhyjnë me presion politik mbi Serbinë, duke i ndaluar praktikat e manipulimit dhe keqpërdorimit të zgjedhjeve. Ato tashmë janë të vetëdijshme se ndërhyrja elektorale nga Beogradi është bërë praktikë e përsëritur, dhe Kosova nuk mund të përballojë e vetme pasojat e kësaj strategjie.
Në anën tjetër, institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë ekspozimin e çdo akti jo-demokratik të Serbisë dhe Listës Serbe. Heshtja do të ishte rrezik. Rikthimi i bandave të strukturuara, si ato të Radojiçiqit dhe Veselinoviçit, të cilët SHBA-ja i sanksionoi në vitin 2021, do ta kthente veriun në një realitet kriminal të kaluar. Ky është skenari që duhet të parandalohet me çdo kusht.
© SYRI.net