16-vjeçari nga Podujeva theret me thikë, gjendja e tij e rëndë, i dyshuari arrestohet

16-vjeçari nga Podujeva theret me thikë, gjendja e tij e rëndë, i dyshuari arrestohet

18:05, 02/09/2025

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot pasdite në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ku një i mitur është therur me thikë.

Drejtori i Emergjencës, Naser Syla, ka konfirmuar për Syri.net se viktima është një 16-vjeçar, i cili është në gjendje të rëndë dhe jo stabile. Ai është dërguar menjëherë për intervenim kirurgjik nga ekipet e anestezionit, kirurgjisë abdominale dhe torakale.

“Është sjellë në Qendrën Emergjente një rast nga Podujeva, viti i lindjes 2009, me plagë nga mjeti i ftohtë. Janë kryer ekzaminimet e nevojshme dhe pacienti është dërguar në sallë për operim. Gjendja e tij është e rëndë dhe jo stabile”, tha Syla.

Lajmi është konfirmuar edhe nga zëdhënësja e Policisë së Rajonit të Prishtinës, Florie Ahmeti, e cila njoftoi se i dyshuari është arrestuar.

“Sot rreth orës 15:00, kemi marrë informatën për një lëndim trupor në Podujevë. Bazuar në të dhënat fillestare, një person është lënduar nga një mjet i mprehtë dhe është dërguar për trajtim mjekësor. Ndërkohë, policia ka arrestuar personin e dyshuar. Në koordinim me prokurorinë, hetimet për rrethanat e rastit kanë nisur”, deklaroi Ahmeti.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco