Zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Prishtinë pritet të jenë një arenë e ashpër politike, por edhe një moment përcaktues për të ardhmen e kryeqytetit. Në këtë betejë, një ndër emrat më të fortë që hyn në garë është Jeta Statovci, tashmë pjesë e listës së partisë Guxo për Asamblenë Komunale të Prishtinës.
Statovci nuk është një figurë e rastësishme. Ajo është ndër deputetet më të votuara të legjislaturës së 9-të, një dëshmi e besimit të fuqishëm qytetar dhe e profilit të saj të palëkundur politik. Në një skenë politike shpesh të mbushur me zëra të përkohshëm, ajo ka ditur të ndërtojë një emër që lidhet me integritetin, punën e palodhur dhe përfaqësimin dinjitoz të qytetarëve.

Hyrja e saj në garën për Prishtinën është një sfidë direkte për të gjithë ata që e kanë parë kryeqytetin thjesht si trampolinë për pushtet personal. Statovci nuk premton slogane boshe – ajo ka dëshmuar se di të fitojë përkrahje me punë konkrete dhe me vizion të qartë. Prishtina për të nuk është vetëm një numër në statistika, por është zemra e zhvillimit politik, ekonomik dhe kulturor të vendit.

Në këtë garë, Statovci nuk hyn për t’u provuar, sepse ajo tashmë e ka dëshmuar veten si një nga politikanet më të votuara të vendit. Ajo hyn për të fituar. Për të sjellë një frymë të re të guximit dhe përgjegjësisë në Komunën e Prishtinës, për të ndalur abuzimet, për të rritur transparencën dhe për ta vendosur qytetarin në qendër të çdo vendimi.

Përballë saj, partitë e mëdha do të duhet të ballafaqohen me një profil që nuk përkulet e nuk komprometohet. Statovci përfaqëson një politikë që nuk i nënshtrohet kalkulimeve të vjetra, por që guxon të thotë të vërtetën dhe të luftojë për të.

Zgjedhjet e 12 tetorit do të tregojnë shumë për të ardhmen e Prishtinës. Por një gjë është e qartë që sot: me Jeta Statovcin në garë, kjo betejë nuk do të jetë e zakonshme.

© SYRI.net