Jasharaj: Uroj që të vijë një ministër që i kupton gjërat e jo si Nagavci, 80 euro s’mjaftojnë për libra

Jasharaj: Uroj që të vijë një ministër që i kupton gjërat e jo si Nagavci, 80 euro s’mjaftojnë për libra

12:53, 01/09/2025

Sot në Kosovë ka nisur viti i ri shkollor 2025-2026.

Me këtë rast, kreu i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me mënyrën e shpërndarjes së mjeteve për tekstet shkollore dhe përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor.

“T’ju them të vërtetën, kjo mënyrë e keqe e shpërndarjes së mjeteve është shqetësuese. Për fat të keq, MAShT ka vazhduar të bëjë të njëjtin gabim, dhe kjo është hera e tretë që ndodh. Ne kemi frikë se kjo situatë do të përsëritet sërish dhe do të shkaktojë vonesa në procedura.”, ka thënë ai në një prononcim për IndeksOnline.

Lexo edhe:
LDK kritika ndaj MASHTI-t: Prindërit po përballen me vështirësi nga mungesa e librave falas në shkolla
Nacionalistët bullgarë sulmojnë makinën duke besuar se von der Leyen ishte brenda
Nagavci: 80 euro mjaftojnë për librat e nxënësve

Sipas tij, procesi i subvencionimit është kompleks dhe kërkon më shumë kujdes institucional. Jasharaj konsideron se mungesa e barazisë në furnizimin me tekste cenon fillimin e drejtë të vitit shkollor.

Jasharaj shpreh edhe zhgënjimin me udhëheqjen aktuale të Ministrisë së Arsimit.

“Urojmë që të vijë një ministër që i kupton realisht këto gjëra, dhe jo më si zonja Nagavci. Tash hera e tretë që e bën gabimin e njejtë me subvencionimin e teksteve shkollore”, ka thënë Jasharaj.

Tutje, i pari i SBASHK-ut paralajmëron për sfida serioze që do të prekin si mësimdhënësit, ashtu edhe nxënësit.

“Mësimdhënësit do të jenë në një situatë sfiduese që nga dita e parë, sepse nuk do të kenë të gjithë tekstet. Nëse fillohet kështu mësimi, ata që nuk kanë tekste do të dëmtohen, do të thotë nxënësit që financiarisht familjet e tyre nuk qëndrojnë mirë e që nuk kanë pas mundësi t’i blejnë librat. Do të krijohet një ndarje mes nxënësve, çka është e papranueshme.”, theksoi ai.

Në fund, ai përmend vështirësitë ekonomike të prindërve dhe mosrealizueshmërinë e subvencionit prej 80 eurosh.

“Znj. Nagavci nuk besoj se ka blerë vetë ndonjëherë tekste shkollore, ndaj nuk e di realisht sa kushtojnë. Është e qartë se 80 euro nuk janë të mjaftueshme, sepse çmimet e teksteve shkollore janë rritur ndjeshëm. Për çdo lëndë ka nga 2-3 tekste, dhe nuk është e mundur që të gjitha të sigurohen me vetëm 80 euro. Pastaj janë edhe fletoret e punës dhe materialet shtesë, të cilat rëndojnë edhe më shumë në buxhetin e prindërve. Ata përpiqen, por më pas me të drejtë reagojnë sepse kanë fakte.”, shtoi tutje ai.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco