Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar duke theksuar se Kuvendi i Republikës së Kosovës ende nuk është konstituuar. Sipas LDK-së, Kushtetuta, Rregullorja e Kuvendit dhe aktgjykimet përkatëse të Gjykatës Kushtetuese janë të qarta dhe nuk lënë vend për interpretime të ndryshme.
Çdo tentativë për të anashkaluar këto dispozita, thekson partia, përbën shkelje të rendit kushtetues dhe cenim të parimeve demokratike të vendit. LDK thekson se Kuvendi nuk mund të funksionojë dhe të marrë vendime pa përmbushur më parë procesin e konstituimit.
Partia shprehet se vonesat e vazhdueshme në konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve po shkaktojnë dëm të madh për vendin dhe pengojnë funksionimin normal të jetës institucionale, duke bërë përgjegjës kryekëput LVV-në dhe drejtuesin e saj.
LDK-ja ripohon përkushtimin e saj për respektimin e rendit kushtetues dhe të rregullave demokratike, duke garantuar funksionimin e institucioneve në përputhje me normat kushtetuese dhe duke i bërë ato shembull të demokracisë.

© SYRI.net