Gazetari i RTK-së pas 18 vjetësh: Nuk më lanë në ekran se s’u servilosa partive

Gazetari i RTK-së pas 18 vjetësh: Nuk më lanë në ekran se s’u servilosa partive

12:18, 30/08/2025

Pas 18 vjetësh në RTK, gazetari Arton Mulliqi largohet nga ekrani: ‘Jo për shkak të shkeljeve, por për teke të menaxhmentit’”


Gazetari i RTK-së, Arton Mulliqi, përmes një postimi të gjatë në Facebook, ka njoftuar se mbrëmë ishte nata e tij e fundit në ekran pas plot 18 vjetësh pune në transmetuesin publik.

Ai thotë se vendimi për largimin e tij nuk është marrë për arsye profesionale, por për shkak të inateve dhe tekeve të menaxhmentit aktual të RTK-së, që sipas tij, “nuk ndihen rehat” me punën e tij.

“Unë jam gazetar, dhe i tillë do të mbes. Ajo që më dhemb më shumë se gjithçka personale është fakti që RTK është bërë lajm për të keq, si asnjëherë më parë,” ka shkruar Mulliqi.

Ai ka kritikuar gjendjen aktuale në RTK, duke theksuar se transmetuesi publik po mbahet peng nga ndikimet politike dhe se duhet të çlirohet nga presionet e pushtetit.

“RTK nuk është e përkohshme, nuk është as e këtyre që po e trajtojnë si të veten. RTK është e Kosovës, është e publikut,” ka përfunduar Mulliqi.


Postimi i plotë:

PËR TË FUNDIT HERË (përkohësisht)

Mbrëmë ishte nata ime e fundit në EKRAN.

Pas 18 vjetësh!

Dhe krejt kjo pas një vendimi të pamenduar mirë dhe pa një vlerësim profesional, por më shumë për inate e teke të atyre që tash janë në krye të RTK-së, dhe që nuk më duan në ekran.

Me gjasë nuk ndihen rehat!

Sot janë bërë 131 muaj që kur kam nisur punën në RTK. Nuk ka fushë të raportimit që nuk e kam mbuluar — në terren ose në studio. Dhe në këtë pak më shumë se një dekadë edhe mund të kem bërë ndonjë lëshim, njerëz jemi, por marrëzi e shkelje të rënda profesionale, që më bëjnë ta ul kokën, nuk mbaj mend të kem bërë ndonjëherë.

Edhe në të kaluarën, shefat e mi në RTK nuk ndiheshin rehat nga puna ime. Edhe me ta kam pasur përballje e përplasje profesionale.

Shumë shpesh!

Bile, ndoshta unë bëjë pjesë në mesin e atyre punëtorëve që më së shumti kanë lëndë të ngritura në Komisionin e Brendshëm Disiplinor në RTK, e edhe raste të hapura në Inspektoratin e Punës. Veç pse, edhe atëherë, sikur edhe tash, nuk jam nënshtruar e as servilosur për asnjë çmim ndaj asnjë partie politike në pushtet dhe menaxhmenteve të transmetuesit publik.

Por me situata të tilla dhe me inate personale, veç pse nuk mendon si “shefat” ose “shefat e shefave”, personalisht nuk jam përballur ndonjëherë si tani.

Kjo nuk është e lehtë të thuhet. Thjesht, dhemb, sepse RTK është vendi ynë i punës, është buka jonë e gojës, është shtëpia jonë e dytë, është dashnia jonë. RTK nuk është e përkohshme, nuk është as e këtyre që po e trajtojnë si të veten.

RTK është e Kosovës, është e publikut!

Por le të mos shqetësohemi shumë. Kishte edhe më herët erëra e turbullira të tilla — kaluan, e do të kalojnë edhe këto.

E për ty, që po mendoj që po vajtoj!

Po të tregoj që nuk po vajtoj pse më kanë larguar nga ekrani, sepse unë nuk jam moderator, bile as me kontratë. Unë jam GAZETAR, dhe i tillë do të mbes!

Ajo që më dhemb më shumë se gjithçka personale është fakti që RTK është bërë lajm për të keq, si asnjëherë më parë. Thuajse çdo ditë jemi në faqet e para të mediave për shkak të veprimeve të pamenduara të menaxhmenteve gjatë kësaj periudhe. 

Do të doja që RTK-në të ishte ndryshe, siç mundet dhe e meriton — duke u cituar e përmendur për lajme ekskluzive dhe për prodhim informacionesh. Sepse mundet! E ka potencialin, i ka resurset, i ka profesionistët më të zotët të zanatit të gazetarisë në këtë vend.

Por që kjo të ndodhë, duhet që RTK të çlirohet — të çlirohet nga ata që po e mbajnë peng që nga themelimi, transmetuesin publik, me financim, me pronë, me ligj, e çka jo… veç pse ia japin paratë.

Prandaj është e domosdoshme që RTK të marrë udhën e mbarë njëherë e mirë. Të lirohet nga presionet dhe ndikimet politike sa herë që ndërrohen pushtetet.

Të gjithë ne jemi të përkohshëm në punë e në pozita. Vetëm RTK duhet të jetë e përjetshme, sepse është në interes të publikut që Kosova të ketë një transmetues publik të pavarur dhe profesional. E ndihmon zhvillimin, shoqërinë dhe demokracinë në këtë vend!

E sa për zërat që kërkojnë mbylljen e RTK-së…

TURPI JU MBULOFTE !

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco