Rashiq: Kam biseduar me Kurtin para kandidimit për nënkryetar, nuk përbën shkelje

Rashiq: Kam biseduar me Kurtin para kandidimit për nënkryetar, nuk përbën shkelje

00:22, 30/08/2025

Nenad Rashiq ka folur lidhur me kandidimin e tij për postin e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës. Ai ka konfirmuar se para kandidimit ka biseduar me kryeministrin në detyrë dhe njëherësh kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Në një intervistë për emisionin Debat Plus në RTV Dukagjini, Rashiq tha se kandidimi i tij nuk përbën shkelje të rregullave apo procedurave.

Ai u pyet nëse kishte diskutuar me Kurtin për kandidimin e tij. “Normalisht që kemi biseduar sa i përket kandidimit tim potencial, por kjo ka ndodhur diku, mos gabofsha, në mars pas zgjedhjeve. Kemi debatuar dhe unë, në një moment kur ka dalë kjo temë, kam thënë pse jo, sepse me të vërtetë dua ta prezantoj një fytyrë tjetër të përfaqësimit të serbëve në institucione, jo sikur kemi pasur rastin deri më tani,” tha Rashiq.

Duke komentuar debatet e fundit publike rreth ligjshmërisë së kandidimit, ai theksoi se vetë nuk është jurist, megjithëse, siç tha, “krejt po bëhen të tillë” ditëve të fundit.

“Unë njoh njerëz [juristë] të cilët e dinë, të cilët janë në njëfarë forme ose kanë qenë brenda Kushtetueses dhe i pyes dhe i kërkoj sqarime shtesë dhe saktë,” shtoi Rashiq.

Ai gjithashtu theksoi se për çdo hap kërkon konsultime nga ekspertët për të siguruar që veprimet e tij të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Rashiq dy herë nuk ka marrë votat e duhura për tu zgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Kosovës. Nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha, u janë bërë thirrje deputetëve të PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Nismës që ta votojnë Rashiqin sepse “ai nuk është nga Lista Serbe”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco