Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Jeta Statovci, do të garojë për herë të parë në zgjedhjet lokale, duke udhëhequr listën e partisë Guxo për Asamblenë Komunale të Prishtinës. Ajo aktualisht është deputete e legjislaturës së IX-të, pozitë që e ka fituar pas rizgjedhjes së saj nga qytetarët në zgjedhjet e 9 shkurtit, pas një mandati të mëparshëm në koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje, shkruan Syri.net.
Statovci, e cila është kryetare e degës së Guxo-s në Prishtinë, ka vendosur të marrë një sfidë të re politike, duke udhëhequr listën për asamblenë komunale. Prej disa vitesh, ajo konsiderohet si një nga figurat më premtuese të politikës së re kosovare, duke fituar mbështetjen e mijëra qytetarëve përmes angazhimit dhe punës së saj.
Jeta Statovci ka lindur më 3 qershor 1994 në Prishtinë. Arsimin e ka përfunduar në Mbretërinë e Bashkuar, ku ka kryer studimet master në London School of Economics (LSE) në drejtimin “Ekonomia dhe Politikat Shëndetësore”, si përfituese e bursës prestigjioze ndërkombëtare Chevening Scholarship. Studimet bachelor i ka përfunduar në Rochester Institute of Technology (RIT Kosovo), në drejtimin e Ekonomisë dhe Menaxhmentit.
Karriera e saj përfshin pozita të rëndësishme në sektorin publik dhe akademik. Ajo ka shërbyer si këshilltare për politika shëndetësore dhe sociale të Kryetares së Kuvendit të Kosovës, njëkohësisht edhe ushtruese e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani. Po ashtu, Jeta është e angazhuar në mësimdhënie universitare, me fokus në menaxhimin shëndetësor.
Më herët, ka punuar si konsulente e ekonomisë shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë në kuadër të projektit të Lux-Development, si dhe ka mbajtur pozitën e zëvendësprorektores për hulumtime dhe cilësi në një kolegj privat. Eksperienca e saj përfshin edhe angazhime në rrafshin ndërkombëtar në fushën e ekonomisë shëndetësore.
© SYRI.net