Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas deklaratave të përfaqësuesve të PDK-së, duke i kujtuar bilancin e kësaj partie gjatë qeverisjes së saj.
Murati tha se gjatë mandatit të fundit të PDK-së me koalicionin PAN (2017–2020), pensionet për veteranët, familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës “janë rritur 0 euro”. Ai shtoi se në periudhën e koalicionit LDK-PDK (2014–2017), kjo e fundit e kishte hequr nenin 18 të ligjit që e lidhte pensionin e veteranit me pagën minimale – kërkesë që, sipas tij, erdhi nga FMN-ja për shkak të fryrjes së listave dhe rrezikut për stabilitetin financiar.
“Ndërkaq pensionet për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve asnjëherë s’kanë qenë të lidhura me pagën minimale, por kjo e dëshmon sa pak din Abelard Tahiri për këtë temë”, u shpreh Murati.
Ai tha se gjatë mandatit të tij, pensionet për kategoritë e luftës janë rritur së paku 20% dhe se është katërfishuar buxheti për Forcën e Sigurisë së Kosovës, duke përmbushur për herë të parë kriterin e NATO-s prej 2% të BPV-së.
“Këto janë faktet”, përfundoi ministri në detyrë.
Krejt ky reagim erdhi pas deklaratave te deputetit te Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ku tha se Lëvizja Vetëvendosje deri tash ka propozuar kandidatë për Kryeparlamentar që mbajnë “rekord të zi ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. Pa përmendur emra, Tahiri ka thënë se dihet kush do të jetë kandidati i radhës.
Deri tani, Vetëvendosja ka propozuar për këtë pozitë Albulena Haxhiun, Donika Gërvallën dhe Hekuran Muratin.
Postimin e tij e ka nisur me Albulena Haxhiun, emri i së cilës ështe hedhur disa herë në votim.
“Albulena Haxhiu dhe grupi parlamentar i LVV-së kanë miratuar ligjin për themelimin e Institutit për Hetimin dhe Hulumtimin e Krimeve të Luftës, duke zgjatur afatin e këtyre hulumtimeve deri më 31 dhjetor 2000. Po kush ka luftuar në Kosovë pas qershorit 1999?! Pra, veteranët e UÇK-së mund të ndiqen për krime lufte deri më 31 dhjetor 2000, sipas ligjit të Albulenës – pikërisht ashtu siç do Serbia. Ky është shërbimi më i madh që i është bërë Serbisë”, ka shkruar Tahiri.
Për Donika Gërvallën, ka thënë se ajo “ka treguar vetë se ka bërë hetime personale, ka fabrikuar dosje për krerët e UÇK-së (me siguri bashkë me prokurorë serbë) dhe thotë se i ka dorëzuar pranë Gjykatës, duke u mburrur vetë me këtë veprim”.
Gërvalla ka thënë dje se nuk është dëshmitare e Hagës dhe se s’ka kontakt e as s’ka dhënë dëshmi në Gjykatën Speciale.
“Gjithkush e di që Donika Gërvalla nuk ka as kontakt, as dëshmi, as dëshmitare lidhur me Gjykatën Speciale. Është tjetër që fushatat për denigrimin dhe baltosjen e personalitetit tim. Të gjithë ata që më sulmojnë në publik si anti-UÇK. Duhet të maten fort mirë sepse mund tu dalë që historia t’u tregojë që kur unë kam kontribuar në luftën çlirimtare si person dhe si strukturë, disa të tjerë ende kanë qenë duke pirë qumësht. Nuk jam dëshmitare e Hagës sepse Haga ka trajtuar dëshmitarë të dorës së parë dhe jo të tillë që mund të kenë dëgjuar diçka. Pyetni avokatët e të akuzuarve”, ka deklaruar Gërvalla.
E për Muratin, Tahiri thotë se i ka përjashtuar nga paga minimale tri kategoritë më të lavdishme të shoqërisë sonë: Veteranët e UÇK-së, Familjet e Dëshmorëve dhe Invalidët e UÇK-së
“Po duket se të gjithë pe dimë se kush do të jetë nesër kandidati i radhës”, ka shkruar tutje Tahiri, pa specifikuar emra.
Nesër në 11:00 do të vazhdojë seanca e Kuvendit. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas seancës së djeshme kur dështoi zgjedhja e Hekuran Muratit, është pyetur nga gazetarët se kë do ta propozojnë për kryetar të Kuvendit të dielën.
Kurti duke qeshur tha ‘’e merrni vesh të dielën’’.
Sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, emri i një kandidati mund të hidhet në votim vetëm tri herë./Syri.net
© SYRI.net