Juristja e medias, Flutura Kusari, ka bërë të ditur një zhvillim shqetësues në Radio Televizionin e Kosovës (RTK). Ajo njofton se disa redaktore, të cilat kishin ngritur zërin publikisht dhe kishin kërkuar pagat, janë tërhequr në mënyrë arbitrare nga prezantimi i lajmeve.
“Sot, bashkë me pagat, redaktoret të cilat e kanë ngritur zërin publikisht dhe i kanë kërku pagat, në mënyrë flagrante dhe arbitrare, pa asnjë vlerësim, pa i konsultuar, përmes një urdhëri të shpërndarë në orën 16:00 në email, është urdhëruar largimi i tyre nga prezantimet e lajmeve nga shtatori,” ka deklaruar Kusari.
Ajo shton se një tjetër arsye për këtë vendim është sfidimi i pushtetit gjatë intervistave, duke bërë pyetje me interes të përgjithshëm dhe jo duke i përkëdhelur zyrtarët. “Pra, ne publiku nuk do t’i shohim fytyrat e moderatoreve të lajmeve të orës 17:00 dhe 23:00 si dënim për pavarësinë e tyre redaktoriale. Kjo është cenzurë me motive të pastra politike,” ka theksuar Kusari.
Ajo ka paralajmëruar se do të monitorojë dhe dokumentojë çdo rast të mundshëm të cenzurës në lajmet e RTK-së, duke e bërë këtë publikisht për të siguruar evidencë të qartë.
© SYRI.net