Pasi ishte bërë e ditur se planifikohet që provat e mbrojtjes në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të fillojnë të paraqiten më 15 shtator 2025, kjo u bë zyrtare në konferencën e së hënës për ecurinë e çështjes në këtë rast përmes një urdhri gojor nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.
Ai tregoi se është përgatitur edhe kalendari i cili është i disponueshëm për publikun. Megjithatë, njoftoi për një ndryshim.
Smith tha se më 25 shtator 2025 e që është ditë e enjte, nuk do të jenë të disponueshëm.
Sipas gjykatësit, mbrojtja e Thaçit synon të thërrasë 11 ose 12 dëshmitarë në sallën e gjyqit. Disa prej tyre mund të dëshmojnë edhe sipas Rregullës 154
Luka Mishetiq tha se dëshmitari 1DW006 dhe 1DW008 do të jenë dëshmitarë që do të dëshmojnë në sallën e gjyqit dhe jo sipas Rregullës 154. Ndërsa, për pjesën tjetër, Mishetiq tha se nuk ka ndryshime.
Ndërsa, Aiden Ellis pohoi se nga 5 dëshmitarët e tyre, një do të dëshmojë sipas Rregullës 155, dy sipas Rregullës 154 dhe dy sipas Rregullës 153.
Mishetiq njoftoi se për t’i marrë në pyetje dëshmitarët e tyre do iu duhen 35 orë e gjysmë gjithsej. Ndërsa, Ellis tha se i qëndrojnë parashtrimeve që i kanë dorëzuar më herët.
Mbrojtja e Krasniqit dhe e Thaçit, njoftuan se përveç një dëshmitari, nuk kanë masa mbrojtëse për dëshmitarët e tjerë.
Mishetiq njoftoi se të gjitha dokumentet në lidhje me dëshmitarët e tjerë janë nxjerrë e po ashtu edhe ato sipas Rregullës 107 për të cilët kërkohet autorizim i nxjerrjes sëi nformacionit. Ai nënvizoi se vetëm dy prej dëshmitarëve sipas kësaj rregulle kanë mbetur për t’u nxjerrë.
Dëshmitë e Albright dhe Holbrooke pritet të përdoren nga mbrojtja e Thaçit
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, u tha se mbrojtja e Hashim Thaçit ka një numër të madh të dëshmitarëve që përfshinë figura të rëndësishme.
Duke e ditur që dëshmitë mund të pranohen me shkrim, mbrojtja e Thaçit njoftoi se në mesin e tyre do të jenë figura si Medeline Albright dhe Richard Holbrooke, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Kemi një numër të gjërë të dëshmitarëve. Nuk mund t’i them këta emra në publik, por megjithatë bëhet fjalë për persona me ministatur të madhe, domthënë persona që janë shumë të njohur, si për shembull sekretarja Albright, Richard Holbrooke, senatori…Informacioni që kemi është shfajësues dhe është e rëndësishme për ta vendosur në kontekst. Kemi të bëjmë me informacion që lidhet drejtpërsëdrejti me lëndën e Prokurorisë”, tha Pierre- Richard Prosoper.
Më 5 dhe 7 gusht, kryetari i trupit gjykues Charles Smith III tha se mbrojtja e Thaçit ka nxjerrë identitetin dhe informacionin që kërkohet sipas Rregullit 119 (2) për tre dëshmitarë shtesë të mbrojtjes.
Ai gjithashtu tha se përmbledhjet e 5 dëshmitarëve që mbrojtja e Thaçit synon që t’i thërras, mbeten ende pezull.
Smith tregoi se mbrojtja e Thaçit ka nxjerrë një deklaratë fillestare të këtyre dëshmitarëve.
Kurse, avokati Luka Mishetiq tha se deri tani kanë nxjerrë identitetet e të gjithë dëshmitarëve dhe kanë nxjerrë gjithashtu deklaratat për shtatë dëshmitarë.
Për njërin nga dëshmitarët, Mishetiq tha se një përmbledhje do ta nxjerrin më vonë por iu duhet autorizim nga Mbretëria e Bashkuar gjatë kësaj jave. Ai gjithashtu tha se për katër të tjerë iu është zbuluar identiteti, por nuk kanë ofruar përmbledhje.
Ndërsa, një pjesëtar tjetër i ekipit të Thaçit tha se kur do e ofrojnë këtë informacion nuk e dinë, por që kërkesat u janë bërë ofruesve të informacionit që janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Charles Smith III tha se mbrojtja e Thaçit, më 1 gusht 2025 kishte dorëzuar një kërkesë për trupin gjykues për të urdhëruar Zyrën për Mbrojtjen dhe Mbështetjen e dëshmitarëve që të marrë masa të caktuara në lidhje me një dëshmitar.
Ai tha se Prokuroria dhe mbrojtësi i viktimave i janë përgjigjur kësaj kërkese, ndërsa mbrojtja ka kthyer sërish përgjigjen e saj.
Ndërsa, u vendos afati që të dorëzohet parashtrim lidhur me këtë çështje nga administratorja deri më 26 gusht 2025.
Tutje, ai rikujtoi se më 21 korrik mbrojtja e Thaçit dhe ajo e Kransiqit kanë dorëzuar listën e dëshmitarëve dhe provave materiale.
Ai tha se sa i përket listës së provave, këto dy ekipe mbrojtëse kanë dorëzuar versione të rishikuara të tyre në mënyrë që të përfshihen vetëm provat materiale të propozuara që synohen të paraqiten në gjykim.
Duke folur për listën e provave sipas Rregullës 119 (2b), Mishetiq tha se të gjitha ato që janë listuar do të përdoren përpara trupit gjykues.
Ndërsa, mbrojtja e Krasniqit e përfaqësuar nga Aiden Ellis, tha se i kanë përmbushur të gjitha detyrimet sa i përket listës së provave.
Gjykatësi Smith tha se ndonëse ka një vendim refuzues në Apel ndaj kërkesave të Veselit, Selimit dhe Krasniqit për lirim të përkohshëm, rishikimi periodik i paraburgimit ndaj tyre do të vazhdojë.
Për afatet e parashtrimeve, ai tha se do i bëjë të ditura me kohë.
Ky rishikim ishte ndërprerë me kërkesën e tre të akuzuarve deri në vendimin e Apelit mbi kërkesat e tyre.
Ndryshe, në seancë, Jakup Krasniqi ishte i pranishëm përmes video-lidhjes, e ngjashëm edhe njëri anëtar i ekipit të tij.
Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.
Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.
“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.
Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.
Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
© SYRI.net